Një ngjarje e dhunës në familje është regjistruar në orët e para të mëngjesit të kësaj të enjteje në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë.
Sipas të dhënave paraprake, një çift i ri është konfliktuar, ndërsa bashkëshorti dyshohet se ka goditur bashkëshorten me një mjet prerës, tip sqepar, në pjesën e ballit.
E reja është transportuar menjëherë në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku ka marrë ndihmën mjekësore. Sipas mjekëve, gjendja e saj është e stabilizuar dhe ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Dëmtimet janë raportuar si sipërfaqësore, kryesisht në pjesën e ballit.
Ndërkohë, Policia ka shoqëruar bashkëshortin dhe po merr deklarimet e tij. Në pyetje është marrë edhe gruaja e dhunuar, ndërsa vijojnë veprimet hetimore për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe shkaqet e konfliktit.





