Një gazetare e pavarur amerikane, Shelly Kittleson, është rrëmbyer në Bagdad, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë e gazetarëve në rajon.
Sipas raportimeve të BBC, rrëmbimi ndodhi të martën në mbrëmje pranë një hoteli në qendër të qytetit. Mediat ndërkombëtare bëjnë me dije se një nga të dyshuarit për këtë ngjarje dyshohet të ketë lidhje me milicinë Kataib Hezbollah, një grup i mbështetur nga Irani.
Ministria e Brendshme irakiane konfirmoi se forcat e sigurisë ndërmorën një operacion të menjëhershëm, duke ndjekur autorët. Gjatë operacionit, një nga automjetet e rrëmbyesve u përmbys dhe një i dyshuar u arrestua, ndërsa kërkimet për personat e tjerë vijojnë.
Nga ana tjetër, Departamenti i Shtetit i SHBA-së konfirmoi rrëmbimin e një gazetareje amerikane, duke theksuar se autoritetet amerikane po bashkëpunojnë me qeverinë irakiane për sigurimin e lirimit të saj sa më shpejt të jetë e mundur. Zyrtarët amerikanë kishin paralajmëruar më herët gazetaren për kërcënime konkrete ndaj saj.
Sipas burimeve, Alex Plitsas, analist i sigurisë kombëtare, ka deklaruar se Kittleson ishte informuar se emri i saj ndodhej në një listë objektivash të mundshëm nga grupet paraushtarake pro-iraniane.
Ndërkohë, mediat raportojnë se në operacionin për gjetjen e saj janë përfshirë edhe agjenci të rëndësishme si FBI dhe strukturat e sigurisë irakiane.
Kittleson, e cila jeton në Romë, ka raportuar për vite me radhë nga zona konflikti si Afganistani, Iraku dhe Siria. Autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe lirimin e saj të sigurt.






