Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale pas protestës së 22-të të zhvilluar përpara Kryeministrisë, duke publikuar pamje nga zona pas përfundimit të tubimit.
Në videot dhe fotografitë e shpërndara pak minuta para mesnatës, shihen mbetje të ndryshme të lëna në vendngjarje, mes tyre një simbol flamingoje i hedhur në tokë, shishe plastike dhe letra, ndërsa më pas në pamje duken edhe punonjësit e mirëmbajtjes që angazhohen për pastrimin e zonës.
Duke komentuar situatën, kreu i qeverisë vuri në dukje atë që e cilësoi si kontrast mes kauzës së protestës dhe pasojave të saj në terren.
“Një natë në kryeqytet, si metafora e fundit të një proteste që nisi për mbrojtjen e mjedisit dhe bitisi me ndotjen e vetvetes…”, shkroi Rama në reagimin e tij.
Postimi i kryeministrit ka nxitur reagime të shumta në rrjet, ndërsa debati mbi mesazhet dhe pasojat e protestës vijon të mbetet në qendër të vëmendjes publike.





