Ndërprerjet e energjisë elektrike kanë vazhduar të paralizojnë qytetin e Sevastopolit në Krimenë e kontrolluar nga Rusia, pas një vale sulmesh të intensifikuara me dronë nga Ukraina ndaj infrastrukturës energjetike në gadishull.
Autoritetet e vendosura nga Rusia në Krime kanë njoftuar kufizime në shitjen e karburantit, ndërsa disa shërbime publike dhe aktivitete për fëmijët janë pezulluar për shkak të situatës së sigurisë. Banorët raportojnë shtim të alarmit ajror dhe pranisë së dronëve, ndërsa përgjimet dhe sulmet janë bërë gjithnjë e më të shpeshta.
Nga ana tjetër, Ukraina e ka cilësuar fushatën si pjesë të strategjisë për të rritur presionin ndaj Moskës dhe për të dobësuar kapacitetet ushtarake ruse në Krime.
Komandanti i forcave të dronëve të Ukrainës, Robert Brovdi, konfirmoi se objektiv i sulmeve ka qenë infrastruktura energjetike e Sevastopolit.
“Kemi goditur disa herë nënstacionin kryesor të energjisë elektrike në Sevastopol”, deklaroi ai, duke theksuar se operacioni është pjesë e një fushate më të gjerë për të goditur infrastrukturën ushtarake dhe logjistike ruse në gadishull.
Sevastopoli, baza kryesore e Flotës ruse të Detit të Zi, mbetet një nga pikat më strategjike të konfliktit që prej aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014, një veprim që nuk njihet nga shumica e vendeve perëndimore.
Në javët e fundit, Ukraina ka intensifikuar sulmet me dronë ndaj nënstacioneve të energjisë, depove të karburantit dhe rrugëve të furnizimit në Krime, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë, mungesa karburanti dhe vështirësi në ofrimin e shërbimeve bazë për banorët.
Guvernatori i Sevastopolit, i emëruar nga Kremlini, Mikhail Razvozhayev, bëri të ditur se janë vendosur kufizime të gjera në furnizimin me energji elektrike dhe u kërkoi qytetarëve të ulin konsumin për të shmangur mbingarkesën e rrjetit.
“Situata në sistemin energjetik mbetet e brishtë për shkak të goditjeve të përsëritura”, deklaruan autoritetet lokale, ndërsa tensionet në rajon vijojnë të rriten.





