Policia e Tiranës ka njoftuar arrestimin e 19 personave pas protestës së dhunshme të zhvilluar paraditen e djeshme pranë Kuvendit të Shqipërisë, ku pati përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit.
Sipas njoftimit zyrtar, të arrestuarit akuzohen se kanë kundërshtuar dhe goditur me sende të forta punonjësit e Policisë, kanë dëmtuar një automjet policie, si dhe kanë sulmuar deputetët gjatë zhvillimit të tubimit. Njëri prej të arrestuarve akuzohet gjithashtu për goditjen e një gazetari.
Në pranga kanë rënë: Besnard Kaimi, Aristotel Elezaj, Gentjan Progni, Durim Bami, Kujtim Pervataj, Romarjo Dushi, Ardit Ymaj, Niko Qarkaj, Ylli Shima, Ervis Gjoni, Frrok Bardhi, Rezart Pirani, Admir Tershalla, Alban Nikolli, Elvis Biçi, Altin Hila, Ervin Gega, Everes Bardhi dhe Arbër Lleshaj.
Po ashtu, policia ka proceduar penalisht në gjendje të lirë edhe 12 shtetas të tjerë, ndërsa bën me dije se vijon puna për identifikimin e gjashtë personave të tjerë, të cilët janë dokumentuar nga pamjet filmike duke kryer veprime të dhunshme gjatë protestës.
Sipas Policisë së Tiranës, nga incidentet e djeshme mbetën të dëmtuar 15 punonjës policie, ndërsa u dëmtua edhe një automjet i Policisë së Shtetit.
Grupi hetimor vijon veprimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë në aktet e dhunës.





