Rreth 45 mijë banorëve në verilindje të Spanjës u është kërkuar të qëndrojnë brenda banesave për shkak të tymit të dendur të shkaktuar nga një zjarr i madh pyjor që vijon të përhapet në rajonin e Katalonjës.
Autoritetet lokale u kanë bërë thirrje banorëve në zonën lindore të Gironës të mbajnë të mbyllura dyert dhe dritaret, ndërsa situata mbetet kritike.
Zjarri, që ka shpërthyer pranë qytetit Bisbal d’Empordà, ka përfshirë rreth 1 300 hektarë pyje dhe shkurre, një sipërfaqe e barabartë me afro 1 800 fusha futbolli.
Sipas autoriteteve, deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar, por flakët, të favorizuara nga erërat e forta, vijojnë të jenë jashtë kontrollit dhe janë përhapur në masivin pyjor Massís de les Gavarres, i cili shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 35 mijë hektarësh.
Për shkak të përmasave të zjarrit, qeveria rajonale e Katalonjës ka kërkuar ndërhyrjen e Njësisë Ushtarake të Emergjencave (UME) për të ndihmuar në përballimin e situatës.
Ndërkohë, policia ka arrestuar një person të dyshuar për shkaktimin e zjarrit. Sipas hetimeve paraprake, ai dyshohet se po punonte me një makinë prerëse metali ose guri, e cila prodhon shkëndija me temperaturë të lartë. Përdorimi i pajisjeve të tilla është i ndaluar gjatë periudhave të thatësirës për shkak të rrezikut të lartë për shpërthimin e zjarreve.





