Zv.kryeministrja Albana Koçiu ka prezantuar prioritetet e reja të qeverisë për sezonin politik, duke vendosur në fokus përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.
Përmes një videomesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Koçiu tha se “Shqipëria Sociale” do të nisë këtë vjeshtë me programin e ri të strehimit, i cili synon të mbështesë çiftet dhe familjet e reja.
“Shqipëria ka hyrë në një fazë të re zhvillimi, ku objektivi nuk është më vetëm ndërtimi apo ofrimi i shërbimeve, por që përmirësimi të ndihet drejtpërdrejt në jetën e përditshme të çdo familjeje. Sfida jonë është që çdo familje ta ndiejë përmirësimin në jetën e saj të përditshme”, deklaroi numri dy i qeverisë.
Sipas Koçiut, ndër prioritetet do të jetë rritja e cilësisë në arsim dhe shëndetësi, si dhe mbështetja për familjet e reja, fermerët, pensionistët dhe biznesin e vogël.
Një tjetër fokus i qeverisë do të jetë krijimi i më shumë mundësive për të rinjtë që duan të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri.
Zv.kryeministrja theksoi gjithashtu se procesi i integrimit europian duhet të shoqërohet me ndryshime konkrete në jetën e qytetarëve.
“Standardi europian nuk duhet të mbetet vetëm një objektiv në letër. Ai duhet të ndihet në çdo shërbim, në çdo komunitet dhe në jetën e çdo qytetari”, u shpreh Albana Koçiu.





