Është ndarë nga jeta në moshën 99-vjeçare aktori i njohur i teatrit të Korçës dhe një nga figurat më të spikatura të skenës dhe ekranit shqiptar, Koço Qëndro.
Qëndro do të mbetet në kujtesën e publikut për interpretimet e tij të jashtëzakonshme në teatër dhe kinematografi, ndërsa një nga rolet më të spikatura ishte ai i Harpagonit në komedinë “Kopraci”, të cilin e riktheu në skenë pas afro tre dekadash.
I lindur më 15 maj 1927 në Senicë të Delvinës, Koço Qëndro e ndërtoi jetën dhe karrierën artistike në Korçë, ku u bë një nga themeluesit dhe figurat më përfaqësuese të teatrit dhe estradës profesioniste të qytetit.
Gjatë karrierës së tij shumëvjeçare interpretoi qindra role në teatër dhe film, duke u shndërruar në një prej aktorëve më të dashur dhe më të vlerësuar nga publiku shqiptar.
Për kontributin e tij të çmuar në artin dhe kulturën shqiptare, ai është nderuar me Urdhrin “Naim Frashëri”, ndërsa së fundmi u vlerësua edhe me titullin “Ambasador i Qarkut”, akorduar nga Këshilli i Qarkut Korçë.
Me ndarjen nga jeta të Koço Qëndros, arti shqiptar humbet një prej emrave të tij më të mëdhenj, ndërsa publiku një aktor që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e teatrit dhe kinematografisë shqiptare.





