Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme janë menaxhuar operacionet për përballimin e 16 vatrave të zjarrit në disa qarqe të vendit. Sipas njoftimit zyrtar, pesë prej tyre vijojnë të jenë aktive, por janë vënë nën kontroll, ndërsa strukturat operacionale po punojnë për shuarjen e plotë të flakëve.
Operacionet u zhvilluan në zona si Hajdaraj-Synej (Kavajë), Drizë-Peshtan (Fier), Tale (Lezhë), Ulën (Elbasan), Divjakë dhe në disa vatra të tjera.
Në terren u angazhuan 261 forca operacionale, 40 automjete zjarrfikëse, 2 helikopterë të Forcave të Armatosura, 30 efektivë ushtarakë me 2 mjete zjarrfikëse, si dhe forca të Policisë së Shtetit, FNSH-së, Shërbimit Pyjor, strukturave vendore të emergjencave civile dhe shërbimeve shëndetësore.
Sipas AKMC-së, ndërhyrjet u zhvilluan në terrene të vështira dhe në kushte që favorizonin përhapjen e flakëve.
Agjencia shprehu mirënjohje për pilotët dhe ekuipazhet e helikopterëve të Forcave të Armatosura, si dhe për efektivët që mbështetën operacionet nga toka.
Falënderime u adresuan gjithashtu zjarrfikësve të bashkive Fier, Kavajë, Lezhë, Kurbin, Elbasan, Divjakë, Rrogozhinë, Lushnjë, Durrës dhe Kamëz, të cilët, në bashkëpunim me të gjitha strukturat e tjera operacionale, kontribuuan në mbrojtjen e jetës, pronës dhe mjedisit.





