Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i ka kërkuar Presidentit amerikan Donald Trump të tregojë kujdes ndaj shitjeve të mundshme të sistemeve të armëve për Turqinë, duke shprehur shqetësim për atë që ai e cilëson si rritje të retorikës anti-Izrael nga Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan.
Sipas zyrtarëve izraelitë dhe amerikanë të cituar nga Axios, Netanyahu e ka ngritur këtë çështje gjatë një bisede me Trump të premten, përpara takimit që presidenti amerikan pritet të zhvillojë me Erdoganin gjatë samitit të NATO-s në Ankara.
Netanyahu i ka kërkuar Trumpit të përmbahet nga shitja e sistemeve të armëve që do të ndihmonin Turqinë në modernizimin e forcave të saj ajrore.
Tensionet mes Izraelit dhe Turqisë janë përshkallëzuar gjatë dy viteve të fundit, veçanërisht pas luftës në Gaza dhe zhvillimeve në Iran. Megjithatë, Trump ka ruajtur marrëdhënie të afërta me të dy liderët, si me Netanyahun ashtu edhe me Erdoganin, i cili konsiderohet një aleat i rëndësishëm i SHBA-së dhe një aktor kyç rajonal.
Në qendër të diskutimeve mes Uashingtonit dhe Ankarasë është një marrëveshje prej rreth 700 milionë dollarësh për motorë të rinj për avionët luftarakë turq, si dhe mundësia që Turqia të rikthehet në programin e avionëve luftarakë F-35.
Turqia u përjashtua nga ky program në vitin 2019, pasi bleu sistemin rus të mbrojtjes ajrore S-400, të cilin zyrtarët amerikanë e konsideruan një rrezik të mundshëm për sigurinë e teknologjisë së avionit luftarak amerikan.
Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance deklaroi javën e kaluar se Pentagoni po shqyrton mënyrën se si SHBA mund t’i shesë avionë F-35 Turqisë, pavarësisht zotërimit të sistemit rus të mbrojtjes.
“Ka disa gjëra që duhet të certifikojmë se kanë ndodhur… në mënyrë që të jemi në përputhje me ligjin amerikan. Presidenti na ka kërkuar ta bëjmë këtë,” u shpreh Vance për gazetarët në Zyrën Ovale.
Për Netanyahun, çështja e shitjeve të armëve lidhet drejtpërdrejt me qëndrimin e qeverisë së Erdoganit ndaj Izraelit. Javën e kaluar, presidenti turk e cilësoi sionizmin si “një ideologji gjenocidale” dhe deklaroi se ai përbënte kërcënim për mbijetesën e Turqisë.
Edhe ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, ka kritikuar ashpër qeverinë izraelite, duke e cilësuar atë si “një barrë që njerëzimi nuk mund ta mbajë më” dhe duke kërkuar vendosjen e sanksioneve ndërkombëtare ndaj Izraelit.
Ndërkohë, Trump pritet të udhëtojë në Ankara për takimin me Erdoganin dhe pjesëmarrjen në samitin e liderëve të NATO-s, ku siguria rajonale dhe bashkëpunimi ushtarak pritet të jenë ndër temat kryesore.





