Ka përfunduar me një bilanc tragjik operacioni i kërkim-shpëtimit në minierën e Tërnovës në Bulqizë. Trupi i pajetë i minatorit 40-vjeçar, Ilir Kalaveri, është nxjerrë nga thellësia e minierës, pas aksidentit të rëndë të ndodhur gjatë procesit të punës.
Ngjarja u regjistrua mesditën e së shtunës, kur 40-vjeçari nga Burreli, i punësuar si minator në subjektin privat “Eternal Security”, ra në një furnelë dhe u mbulua nga materiali i kromit në malin e Tërnovës.
Pas marrjes së njoftimit për aksidentin, grupet e kërkim-shpëtimit dhe shërbimet e Policisë nisën menjëherë ndërhyrjen për lokalizimin e minatorit. Për disa orë vijuan përpjekjet në kushte të vështira të punës nëntokësore, por në fund ai u gjet pa shenja jete.
Ilir Kalaveri punonte në subjektin privat “Eternal Security”, me pronarë Lahim Gjikën dhe Halil Gjikën. Zona minerare e Tërnovës është një nga pikat më të njohura të nxjerrjes së kromit në Bulqizë, ku ndër vite janë regjistruar edhe aksidente të tjera në punë.
Pas ngjarjes, grupi hetimor ka nisur verifikimet për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit dhe për të përcaktuar nëse janë respektuar kushtet e sigurisë gjatë procesit të punës.
Autoritetet pritet të hetojnë procedurat e sigurisë në minierë, si dhe përgjegjësitë e mundshme që mund të kenë çuar në këtë humbje tragjike të jetës së minatorit.





