Ky që shihni në foto është shqiptari Altin Allmuça, autori i dyshuar i ngjarjes së rëndë të ndodhur mëngjesin e sotëm në Athinë, ku humbën jetën dy persona.
Sipas burimeve, Allmuça fillimisht ka qëlluar për vdekje partneren e tij, 45-vjeçaren Lulieta Obzova, dhe më pas i ka dhënë fund jetës.
Nga informacionet paraprake, çifti nuk ishte i martuar, ndërsa marrëdhënia mes tyre raportohet se ishte shoqëruar prej kohësh me konflikte. Sipas burimeve, dyshohet se xhelozia ka qenë një prej shkaqeve që çoi në përplasjen fatale.
Mësohet se Allmuça merrej me sportin e boksit.
Ngjarja dyshohet se nisi me një sherr jashtë hyrjes së pallatit ku banonte çifti. Në vijim, 50-vjeçari nxori një pistoletë dhe qëlloi disa herë ndaj 45-vjeçares, e cila mbeti e vdekur në vend, në korridorin e ndërtesës.
Pak më vonë, me të njëjtën armë, Allmuça qëlloi veten në kokë. Arma u gjet nën trupin e viktimës.
Sipas mjekut ligjor që ka kryer këqyrjen e trupave, bëhet fjalë për vrasje dhe më pas vetëvrasje.
Në pallatin ku ndodhi ngjarja ka kamera sigurie, të cilat raportohet se kanë filmuar momentet e konfliktit dhe të shtënat. Për këtë arsye, policia nuk ka dyshime mbi autorësinë e ngjarjes.
Ndërkohë, mësohet se në të njëjtën zonë banonte edhe vajza e 45-vjeçares. Deri tani nuk rezulton që Allmuça dhe Obzova të kenë qenë bashkëshortë, por raportohet se kishin një marrëdhënie intime, e cila përfundoi në mënyrë tragjike.
Hetimet e autoriteteve greke vijojnë për të zbardhur të gjitha rrethanat e ngjarjes.





