Vijon përplasja publike mes deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, dhe deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, lidhur me çështjen e Gjykatës Speciale dhe deklaratat e Çitakut për tërheqjen e lëndës nga Gjykata Kushtetuese, nëse çështja e Speciales trajtohet me përgjegjësinë e duhur shtetërore.
Fillimisht, Çitaku, përmes një postimi në Facebook, deklaroi se nëse Lëvizja Vetëvendosje zotohet publikisht se do ta votojë projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe disa çështje të tjera, PDK do ta tërheqë lëndën nga Gjykata Kushtetuese që lidhet me konstituimin e Kuvendit.
“Nëse LVV zotohet publikisht se do ta votojë Projektligjin e dorëzuar sot për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, do të marrë përsipër mbulimin e plotë të shpenzimeve të mbrojtjes dhe do ta trajtojë këtë proces me përgjegjësinë e duhur shtetërore, ne jemi të gatshëm t’i tërheqim lëndët nga Gjykata Kushtetuese qysh nesër”, kishte shkruar ajo.
Pas kësaj deklarate ka reaguar deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi.
Rrustemi, në një postim në Facebook, ka shkruar se çështja e Gjykatës Speciale nuk duhet të trajtohet si kalkulim politik.
“Vlora Çitaku, nuk është bre gjithçka kalkulim politik. Të paktën çështjes së Gjykatës Speciale t’i qasemi pa kalkulime e me pak më shumë prioritet. Çka është kjo sjellje politike, njëherë thoni nuk kemi Kuvend, e çoni në Gjykatë Kushtetuese, bojkotoni kompletimin e kryesisë, pastaj i drejtoheni Kuvendit që e konsideroni antikushtetues dhe thuani i tërheqim kërkesat në Kushtetuese.
Ju lutem për pak seriozitet, më shumë reflektim për gabimet fatale të shkuara nga të cilat duhet të nxirren mësime dhe të kemi strategji shtetërore të bashkërenduar për mbështetje të procesit të padrejtë në Hagë”, ka shkruar Rrustemi.
Pas deklaratës së deputetit të LVV-së, ka reaguar sërish Vlora Çitaku, e cila ka akuzuar Vetëvendosjen se po bën kalkulime politike.
“VV, kalkulime po bëni ju. Po thoni se nuk do të jepni mendim për ligjin për Gjykatën Speciale dhe për ndihmën financiare pa folur Gjykata Kushtetuese.
Ne po jua heqim këtë kusht. Çfarë mendoni? Seriozisht.
Nuk ka asnjë kauzë më të madhe e më të rëndësishme se kjo betejë.
Asgjë nuk është e barasvlershme me të. Kjo nuk është koha për taktizime. Koha është për veprim. Tash. Menjëherë. Jo për PDK-në, por për historinë. Për UÇK-në. Për çlirimtarët.
Pa hezitim. Pa u ndalur. Deri në fund. Deri në liri”, ka shkruar ajo.





