Çështja e rregullimit të Inteligjencës Artificiale pritet të jetë një nga temat që do të shqyrtohen në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, e cila nis sot punimet 7-ditore në Nju Jork.
Pas një sërë incidentesh dhe paralajmërimesh alarmuese nga shumë liderë, disa vende pritet të mbështesin thirrjen e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për “koordinim global” mbi Inteligjencën Artificiale. Në diskutime mund të dalin edhe nisma të tjera lidhur me rregullimin dhe përdorimin e teknologjisë.
Nuk përjashtohet gjithashtu mundësia e zhvillimit të një takimi të posaçëm të Këshillit të Sigurimit lidhur me përdorimin e IA-së.
Në fokus do të jetë edhe ndryshimi klimatik. Pas një vere të shënuar nga valë të nxehta dhe ngjarje ekstreme të motit, më 23 shtator Guterres do të kryesojë një takim mbi veprimin klimatik.
Në qendër të diskutimeve pritet të jetë edhe rritja e nivelit të detit, e cila përbën një kërcënim ekzistencial për disa vende ishullore.
Ndërkohë, pas dyerve të mbyllura, fuqitë e mëdha pritet të diskutojnë edhe për të ardhmen e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ndërsa kërkojnë të bien dakord për një kandidat kompromisi për pasardhësin e Antonio Guterresit, mandati i të cilit përfundon më 31 dhjetor 2026.
Sipas pritshmërive të raportuara, nuk pritet përparim i madh gjatë kësaj jave. Megjithatë, pesë vendet me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit – Mbretëria e Bashkuar, Franca, Rusia, Kina dhe Shtetet e Bashkuara – mund ta përdorin takimin për të avancuar diskutimet dhe për të kërkuar një marrëveshje.
Një tjetër element i rëndësishëm i garës për drejtimin e OKB-së është përfaqësimi gjinor. Shumë zëra kanë bërë thirrje që një grua të drejtojë Kombet e Bashkuara për herë të parë, ndërsa në garë janë pesë gra, krahas tre kandidatëve burra.





