Kosova duhet ta rishikojë raportin e saj me misionet ndërkombëtare pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, tha historiani britanik James Pettifer, duke vënë në pikëpyetje nëse misione si EULEX-i kanë ende rol në vend.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Pettifer, ligjërues i Historisë së Ballkanit në St Cross College të Universitetit të Oksfordit, tha se Kosova nuk duhej ta refuzonte krijimin e Dhomave të Specializuara, por duhej të negocionte ndryshe kushtet mbi të cilat ato u themeluan.
Sipas tij, aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit dhe tre ish-udhëheqësve të tjerë të UÇK-së mund ta vështirësojë edhe më tej procesin e pajtimit mes shqiptarëve dhe serbëve. Pettifer bëri thirrje që reagimi ndaj vendimit të jetë politik dhe institucional.
Më 16 shtator, Dhomat e Specializuara dënuan Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet për krime lufte.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë bërë thirrje për respektimin e aktgjykimit.
Në Kosovë, të dielën u zhvilluan protesta kundër vendimit për të pestën natë me radhë, ndërsa të hënën protestuan edhe studentët.
Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës, e mbështetur edhe nga Aleanca, çoi në Kuvend nismën për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara.





