Toni Nake, i dyshuari për vrasjen e 49-vjeçarit Kreshnik Cara, ka dhënë dëshminë e tij para grupit hetimor, duke rrëfyer dinamikën e konfliktit që përfundoi në mënyrë tragjike.
Sipas dëshmisë së Nakes, ai ndodhej në të njëjtin lokal me viktimën, por të dy ishin ulur në tavolina të ndryshme. Cara ishte në shoqërinë e një miku të tij.
Nga të dhënat e bëra me dije për hetuesit, mes dy personave fillimisht ka nisur një përplasje me fjalë. Nake ka deklaruar se pas debatit është larguar nga lokali dhe ka shkuar në banesën e tij, ku ka marrë një thikë.
Më pas, sipas dëshmisë së tij, ai është kthyer sërish në lokal dhe ka goditur disa herë me thikë Kreshnik Carën në zonën e barkut.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se Nake njihet si përdorues i lëndëve narkotike. Sipas të njëjtave burime, gjatë marrjes në pyetje ai ka dhënë versione jo të njëjta për ngjarjen.
Nake ka pretenduar gjithashtu se prej kohësh ishte objekt bullizimi.
Hetuesit po verifikojnë deklarimet e tij, së bashku me provat e tjera të mbledhura, me qëllim përcaktimin e saktë të dinamikës së konfliktit dhe motivit që çoi në vrasjen e 49-vjeçarit.





