Mesazhe të tjera janë bërë publike nga dosja hetimore e SPAK, duke nxjerrë në pah komunikimet mes Ergys Agasit dhe ish-drejtueses së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hysenit.
Në një prej komunikimeve të publikuara, Hyseni i shkruan Agasit duke e paralajmëruar të mos përdorë një numër tjetër telefoni, pasi, sipas saj, ai mund të ishte në përgjim.
“Shpirt mos e përdor atë numrin tjetër sonte se çunat ia kanë çu veshin. Flej rehat. Të du!”, citohet t’i shkruajë Hyseni Agasit.
Në vijim të komunikimit, Agasi e pyet nëse ekziston ndonjë rrezik për persona të cilëve u referohet si “çunat e mi”.
“Shpirt, a ka naj rrezik për djemtë e mi sonte?”, shkruan Agasi, sipas materialeve të bëra publike.
Përgjigjja e Hysenit vijon:
“Flej rehat zemër, krejt radarët e shtetit i mbyll për ty”.
Komunikimet, sipas materialeve të publikuara, janë një nga elementet mbi të cilat hetuesit kanë ngritur dyshime për marrëdhënien dhe komunikimet mes Hysenit dhe Agasit, si dhe për ndihmën që ajo dyshohet se i ka dhënë biznesmenit.
Sot, Vlora Hyseni pritet të pyetet nga prokurorët e SPAK për këto komunikime dhe për marrëdhënien e saj me Ergys Agasin. Në ballafaqimin e parë me SPAK, ajo ka deklaruar se e ka pasur Agasin bashkëpunëtor.
Seanca për ish-drejtoren e SHISH është caktuar për orën 12:00.
Ndërkohë, GJKKO ka caktuar ndaj Hysenit masën e sigurimit “arrest në shtëpi”. Ajo dyshohet për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”.
Dyshimet dhe akuzat e ngritura ndaj saj janë pjesë e hetimit dhe do të vlerësohen në vijim të procesit gjyqësor.





