Dy persona janë arrestuar nga Policia e Tiranës dhe ajo e Krujës, pasi gjatë kontrolleve në banesat e tyre janë gjetur armë zjarri dhe municion luftarak.
Sipas njoftimit zyrtar, në Tiranë është arrestuar shtetasi A. Z., 36 vjeç, me precedent penal. Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia thotë se ka gjetur dhe sekuestruar dy armë zjarri, një pistoletë dhe një armë automatike, si dhe municion luftarak, një shënjestër optike, dy mjete prerëse dhe një peshore elektronike.
Ndërkohë, në Krujë është vënë në pranga shtetasi F. L., 28 vjeç.
Sipas policisë, gjatë kontrollit në banesën e tij në fshatin Brret janë gjetur një armë gjahu, 84 fishekë dhe 17 kapsolla elektrike, të cilat posedoheshin pa leje.
Policia bën me dije se vijojnë hetimet për të zbardhur dhe dokumentuar nëse dy të arrestuarit janë të përfshirë edhe në veprimtari të tjera kriminale.
Materialet procedurale për të dyja rastet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.





