0.5 C
Tiranë
Sunday, November 24, 2024
spot_img

Ambasadori Soreca: Të nisë sa më shpejt Konferenca e Parë Ndërqeveritare për Shqipërinë, ndryshe do humbasë besimi te BE!

Gjatë fjalës së tij në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama, ambasadori Luigi Soreca komentoi raport-progresin e Komisionit Evropian për Shqipërinë, të prezantuar një ditë më parë.

Ambasadori Soreca tha se në raportin e KE thuhet se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet dhe konferenca e parë ndërqeveritare duhet të nisë sa më shpejt, para fundit të këtij viti.

Mes të tjerash, kryediplomati evropian vuri theksin te disa nga përparësitë e Shqipërisë, duke prekur edhe fushat, ku duhet bërë akoma, siç është liria e medias.

“Dje KE miratoi paketën e zgjerimit të vitit 2021, përfshirë edhe raportin vjetor për Shqipërinë. Pas këtij takimi, unë do të prezantoj gjetjet kryesore të këtij raporti në Kuvend. Ballkani Perëndimor është përparësi për BE dhe vizita e presidentes së KE, Ursula von der Leyen, që e nisi vizitën nga Tirana, theksoi këtë angazhim për të ardhmen e Shqipërisë në BE. Gjatë vizitës së saj, ajo konfirmoi vendosmërinë e KE për të ecur përpara me konferencat e para ndërqeveritare me Shqipërinë dhe RMV përpara fundit të vitit.

Në raport thuhet se Shqipëria i ka përmbushur kushtet që ishin përcaktuar nga këshilli. Ne theksojmë se konferenca e parë ndërqeveritare duhet të mblidhet sa më shpejt të jetë e mundur dhe para fundit të vitit. Shtyrjet ose vonesat do të kenë ndikim negativ për besueshmërinë e BE. Sa i përket sundimit të ligjit, raporti tregon se ka pasur rezultate konkrete për Reformën në Drejtësi dhe Vettingun.

Ka bërë përparim në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke krijuar ato trupa të reja të specializuara për zbatimin e ligjit dhe duke marrë pjesë në formë aktive në një sërë operacionesh ndërkombëtare të sundimit të ligjit, gjë që ka çuar në disa arreste. Por kjo punë duhet të vijojë. Ne presim që të ketë një ecje në zbatimin e ligjit. Thuhet se Shqipëria është 100% në përputhje me politikën e BE, sa i përket politikës së jashtme.

Po ashtu, më lejoni të flas për një çështje për të cilën ka shqetësime, siç është liria e fjalës. Sulmet verbale dhe fushatat e baltosjes kundër gazetarëve nuk duhet të vijojnë. Duhet pavarësi dhe standarde profesionale për gazetarët, ashtu siç duhet parë dhe aspekti financiar. Duhen ndryshime të mundshme për ligjin e medias, që duhet të jenë në përputhje me atë që thotë Komisioni i Venecias. Sa i përket pakicave, duhen miratuar ligjet që kanë të bëjnë me ta, si dhe shpronësimi apo kompensimi, duhet të avancojnë.

Sa i përket kritereve ekonomike, thuhet se qeveria dhe BSH kanë marrë veprime të shpejta për të mbështetur familjet pas krizës së pandemisë. Komisioni është i mendimit se ka ardhur koha për të pasur konferencën ndërqeveritare para fundit të vitit. Është vendimtare që Shqipëria të vijojë me përmbushjen e kushteve. Fusha kyçe për këtë është procesi i Vettingut dhe zgjatja e tij. Integrimi Evropian po jep rezultate dita ditës dhe ndodh dita ditës, duke përmirësuar jetën e shqiptarëve. Jemi besimplotë dhe shpresëplotë që qeveria dhe Kuvendi, por edhe institucionet e tjera, janë të gatshëm të bëjnë punën e tyre, dhe duke bërë këtë gjë integrimi të mund të arrihet”, tha ambasadori Soreca.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT