Ambasadori i BE-së Luigi Soreca ka pritur në takim Kreun e Komisionit Parlamentar për Median, Agron Gjekmarkajn, njëkohësisht deputet i Partisë Demokratike.
Me anë të një postimi në Twitter, ka shprehur angazhimin e BE-së për lirinë e shprehjes dhe për funksionimin e një shoqërie demokratike.
Diplomati i BE-së shkruan se diskutoi me Gjekmarkajn për situatën e lirisë së shprehjes në Shqipëri si dhe për sfidat e paraqitura në Raportin e Komisionit Europian për vendin tonë.
Soreca thekson se pavarësia e organeve rregullatore të medias duhet garantuar teksa me rëndësi, sipas tij është dhe përforcimi i pluralizmit të transmetuesit publik.
“Kënaqësi që u takova me Kryetarin e Komisionit Parlamentar për Median dhe Arsimin, z. Agron Gjekmarkaj. Diskutim i rëndësishëm mbi situatën e lirisë së shprehjes në Shqipëri, përfshirë sfidat e paraqitura në Raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë 2021. Pavarësia e organeve rregullatore të medias duhet garantuar, si edhe qasja e medias në veprimtaritë qeveritare. Me rëndësi edhe përforcimi i pluralizmit të transmetuesit publik. BE-ja i jep rëndësi maksimale lirisë së shprehjes për funksionimin e një shoqërie demokratike“ – shkruan Soreca.