3 persona janë vënë në pranga nga Policia e Fierit, të dyshuar për vepra të ndryshme penale.
Gjatë operacionit “Horizonti” janë arrestur shtetasit: Përparim Smira, Erjon Hebeja dhe Ronard Kovaçi.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Horizonti”, për kapjen e personave të shpallur në kërkim.
Kapen dhe vihen në prangat e Policisë, 3 shtetas të shpallur në kërkim kombëtar për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Mashtrimi në kredi”.
Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, efektivët e Komisariatit të Policisë Fier dhe Lushnjë, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, në bazë të informacioneve të marra në rrugë policore, pas lokalizimit të vendndodhjes, organizuan punën dhe finalizuan me sukses operacion policor të koduar “Horizonti”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve: P. S., 53 vjeç, banues në Hoxharë, Fier.
Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata e Shkallës së Parë Fier, me vendimin e datës 17.12.2021, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim gjatë operacionit policor të koduar “Hoxhara”, zhvilluar në datë 16.10.2021, ku në banesën e tij, Policia gjeti dhe sekuestroi 10 kg lëndë narkotike cannabis sativa. Shtetasi P. S., në bashkëpunim me shtetasin I. H. (B), (i arrestuar nga policia gjatë operacionit), kishin përgatitur lëndën narkotike gati për shitje.
E.H., 41 vjeç, banues në Hamil, Fier, pasi Gjykata e Apelit Vlorë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
r.K., 23 vjeç, banues në Lushnjë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan, me vendimin e datës 02.02.2022 ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprën penale “Mashtrimi në kredi”.
Ky shtetas, në bashkëpunim me 2 shtetas të tjerë (të cilët janë arrestuar nga Policia) duke u prezantuar si punonjës të një fondacioni që krijon lehtësira për të marrë kredi, kanë mashtruar shtetasin R. B., 65 vjeç, banues në Elbasan, duke i kërkuar një shumë parash.
23-vjeçari iu dorëzua shërbimeve të Policisë Elbasan për veprime të mëtejshme.
Materialet do i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.