Detyrimet e prapambetura të qeverisë vitet e fundit po krijohen më së shumti nga prokurimi i punëve dhe shërbimeve publike me kosto shumë më të larta se parashikimet fillestare. Kjo procedurë përveçse bëhet në thyerje të ligjeve dhe udhëzimeve për menaxhimin e buxhetit të shtetit, po bëhet shkak për krijimin e detyrimeve të prapambetura.
Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) në auditin e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor mbi zbatimin e buxhetit 2019 -2020 gjeti së paku 2 milionë euro tenderime mbi fondet e parashikuara në buxhet në vetëm tre tendera.
Në projektbuxhetin e vitit 2019 FSDKSH përllogariti shpenzime në vlerën e 50 milionë lekëve për “Zhvillimin e Software për raportimin online të depove farmaceutike”. Por tenderin për këtë shërbim e kreu AKSHI ( Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së informacionit), e cila e prokuroi këtë shërbim për 127 milionë lekë ose 155 % më shumë se vlera e parashikuar në buxhetin e Fondit.
Ekspertët e KLSH-së kanë vërejtur se plani i buxhetit nga FDSKSH ishte bërë vetëm për vlerën e investimit, ndërsa AKSHI ka kontraktuar edhe mirëmbajtjen, ndërkohë që FDSKSH-ja nuk i kishte fonde të miratuara në dizpozicion.
Kontrata në shumën 127.6 milion lekë me TVSH (nga e cila 35.28 milion lekë mirëmbajtja 4 vjeçare dhe pjesa tjetër prej 92.2 milion lekë vlera e investimit) ndërmjet AKSHI. Përveçse AKSH-i bëri prokurimin e mirëmbajtjes edhe pse Fondi nuk e kishte parashikuar e rriti me gati dyfish vlerën e investimit, nga 50 milionë lekë në 92 milionë lekë).
E njëjta procedure u ndoq edhe për projektin “Regjistri Elektronik për formularët e vizitave të mjekut të familjes”. Vlera e parashikuar për fondet e investimit për këtë kontratë nga FDSKSH është në shumën 80 milion lekë, ndërkohë që nuk ka pasur asnjë parashikim për kosto të mirëmbajtjes. Ndërkohë AKSHI ka lidhur kontratën në mars 2019 me çmim total 215,664,000 lekë me TVSH (nga e cila 55,752,000 lekë mirëmbajtje për 2 vjet dhe 159,912,000 lekë vlera e investimit). Përveçse prokuroi mirëmbajtjen pa pasur fonde në dispozicion, KASH e prokuroi vlerën e investimit për këtë projekt dyfishin e vlerës që kishte parashikuar FDSKSH.
Të njëjtën praktike AKSH ndoqi edhe për projektin “Përmirësimi i dhomës së serverëve për FSDKSH”. AKSH e prokuroi këtë shërbim me kompaninë ABS me vlerë 94.2 milion lekë me TVSH (nga e cila 54 milion lekë vlera e investimit dhe 40.2 milion lekë vlera e mirëmbajtjes për 4 vite) ku përfitues ishte FSDKSH. Ky prokurim sipas KLSH-se u bë në kundërshtim me afatin 15 tetor të përcaktuar në ligjin nr. 9936 datë 26.06.2008 “Për menaxhimin e 138 sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, për marrjen e angazhimeve dhe pa pasur në dispozicion në momentin e lidhjes së kontratës fondin e miratuar në FSDKSH.
Ky shërbim u kontraktuar nga AKSHI me një vlerë shumë më të lartë se parashikimet në buxhetin e FSDKSH-së, ku financimi i këtij programi në vitin 2019 ishte programuar 54 milionë lekë.
KLSH gjeti se vetëm në tre projekte AKSHI nënkontraktoi 2 milionë euro më shumë se parashikimet e FDSKSH për këto kontrata duke u bërë kështu shkak për krijimin e detyrimeve të prapambetura.
Fondet e parashikuara për projektet nga FDSKSH dhe kontratat e lidhura nga AKSHI (lekë)
Parashikimi PBA 2019-2021 Financimi nga prokurimet e AKSHI
Zhvillim i software moduli i depove farmaceutike 50,000,000 127,600,000
Regjistri Elektronik për formularët e vizitave të mjekut të familjes 80,000,000 215,664,000
Përmirësimi i dhomës së serverëve për FSDKSH 54,000,000 94,200,000
Diferencat 184,000,000 437,464,000