Kandidati i PD per Bashkine e Lushnjes Indrit Sefa ka sfiduar rivalen e tij të PS, Eriselda Sefa për të zhvilluar një debat publik.
“Të dashur bashkëqytetarë,
Në 6 Mars, ju do të shkoni në qendrat e votimit për të vendosur se kush do të drejtojë Bashkinë e Lushnjës. Vërtet këto zgjedhje janë vetëm për 1 vit nga mandati i mbetur, por ato kanë shumë rëndësi.
Këto janë zgjedhje ku banorët e Lushnjës, në fshat dhe në qytet vendosin, nëse Bashkia do të jetë në shërbim të partisë në pushtet, nëse Bashkia do të jetë në shërbim të pushtetit të politikanëve në Tiranë, apo do të jetë në shërbim të lushnjarëve, për të përmirësuar jetën në familjet e tyre dhe për të marrë më shumë para nga puna e tyre.
Në ditën e parë të nisjes së fushatës zgjedhore, ftoj çdo votues në Lushnje të marrë pjesë në zgjedhjet e 6 Marsit, duke na dhënë shansin që të bëjmë realitet ndryshimin!
Një thirrje të veçantë kam për bashkëmoshatarët e mi. Merrni pjesë masivisht në këto zgjedhje! Lushnja ka nevojë për secilin prej nesh.
Të dashur bashkëqytetarë!
Në këto zgjedhje është shumë e rëndësishme të votoni duke lënë pas krahëve politikën e sherrnajave, politikën e zhurmës dhe, me qetësi, bashkërisht, duke mirëkuptuar ndasitë politike, por duke respektuar njëri-tjetrin si lushnjarë, t’i kthejmë dinjitetin Lushnjës!
Këto nuk janë zgjedhje për partitë. Këto janë zgjedhje për ju, për fëmijët tuaj!
Për mua, është privilegj, por edhe përgjegjësi që kërkoj besimin tuaj. Deri tani, kam shërbyer si njeri i ligjit dhe me profesionin e avokatit kam bërë gjithçka për të mbrojtur qytetarët nga padrejtësitë!
Nga qindra, ndoshta dhe mijëra qytetarë që kam takuar këto ditë në çdo cep të Bashkisë Lushnjë, kam kuptuar se ata e duan ndryshimin.
Shumë janë të zhgënjyer me premtimet e pambajtura kurrë këto 15 vjet. Shumë të tjerë janë të revoltuar, sepse nuk kanë gjetur tek Bashkia një derë hapur për të zgjidhur problemet. Ka nga ata që janë të pakënaqur, sepse paguajnë taksa dhe nuk marrin mbrapsht asgjë që e rrit cilësinë e jetës në Lushnjë.
Ka ardhur koha që të jepet llogari. Nuk e kam fjalën vetëm për 6 marsin, për llogarinë me votë!
Kush kërkon votën e qytetarëve duhet të jetë i hapur, të jetë konkret për angazhimet në lidhje me qytetin. Na duhet t’u flasim banorëve të Lushnjës me vërtetësi, çfarë mund të bëjmë për 1 vit dhe çfarë nuk mund të bëjmë.
Në funksion të një fushate qytetare dhe për të treguar se për ne të rëndësishëm janë lushnjarët dhe jo pushteti, ftoj rivalen time, kandidaten e Partisë Socialiste që të zhvillojmë një debat publik për planin e secilit prej nesh për Lushnjën. Në këtë debat është i mirëpritur të marrë pjesë edhe kandidati tjetër. Megjithëse përfaqëson 2 parti të vogla, kushdo duhet të ketë garancitë për një garë të barabartë.
Propozoj që ky debat të zhvillohet në një ambient publik, me pjesëmarrjen e qytetarëve, të cilët duhet të kenë të drejtën e pyetjeve dhe bashkëbisedimit me kandidatët. Nëse rivalja ime bie dakord për këtë debat, ne ngarkojmë stafet tona për ta përgatitur atë në kohën më të shpejtë të mundshme. Unë jam i gatshëm, duke filluar nga tani.
E rëndësishme është që në ketë garë ne të vendosim lushnjarët të parët. Të vendosim interesin e qytetarëve të parin. Ata duhet të zgjedhin të lirë, ato duhet të zgjedhin këdo që u jep besim për të qeverisur për ta dhe për t’u shërbyer atyre. Përmes këtij debati, ne kemi shansin të tregojmë përpara zgjedhjeve kush ka planin më të mirë, më konkret, më të dobishëm dhe më të realizueshëm për bashkëqytetarët tanë.
Le ta nisim këtë fushatë si kurrë më parë, duke pranuar që ne të debatojmë për Lushnjën dhe për të mirën e lushnjarëve tanë!