5.5 C
Tiranë
Monday, November 25, 2024
spot_img

Xhaçka në takimin e Komitetit Parlamentar: “Shqipëria përmbush kushtet për Konferencën e parë Ndërqeveritare”

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka deklaroi sot në takimin e 14-të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit se Shqipëria ka përmbushur kushtet për Konferencën e parë Ndërqeveritare.

Gjatë fjalës së saj, Xhaçka tha se nuk ka aktorë në BE që vënë në dyshim arritjet e vendit tonë, ndërsa shtoi se Këshilli bllokohet nga një shtet anëtar për një vend tjetër kandidat.

“Të nderuar Bashkë-Kryetarë,
Të nderuar anëtarë të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit,

Ju falenderoj për mundësinë për të diskutuar me anëtarët e Delegacionit të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asocimit, mbi statusin aktual të marrëdhënieve BE-Shqipëri. Kam kënaqësinë t’i drejtohem këtu në Tiranë, Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri në takimin e 14-të të tij, pas rreth 4 vitesh ndërprerje. Një mirëseardhje e ngrohtë për anëtarët e këtij Komiteti nga Parlamenti Evropian. Ka kaluar shumë kohë nga takimi i fundit i dy delegacioneve parlamentare në Bruksel në takimin e 13-të, më 15 tetor 2018. Shumëçka ka ndodhur mes BE-së dhe Shqipërisë. Të dy parlamentet patën zgjedhje, një situatë pandemike paralizoi shkëmbimet tona. Në parantezë, këtu, do të doja t’ju falënderoja për mbështetjen e Parlamentit Evropian për vendimet për përfshirjen e Ballkanit Perëndimor, jo vetëm në kuadrin rregullator për përballjen me pandeminë, por edhe si përfitues të ndihmës financiare dhe në natyrë për të luftuar kundër pandemisë dhe pasojave të saj.

Qeveria shqiptare ndihet krenare për bashkëpunimin e ngushtë me Kuvendin, edhe nëpërmjet një ministri të dedikuar të qeverisë. Jam gjithashtu mirënjohëse për rolin e rëndësishëm të Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian në punën që lidhet me axhendën evropiane dhe për bashkëpunimin, por edhe monitorimin nga Kuvendi ndaj strukturave tona negociuese.

Të nderuar anëtarë të Komitetit, Ky Komitet ka qenë mbështetës i përparimit të Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit në BE. Rekomandimet e takimit të fundit të këtij Komiteti, në vitin 2018, njohën progresin e bërë nga Shqipëria dhe kërkuan caktimin e një date për hapjen e negociatave të anëtarësimit, si një hap që do të kontribuonte pozitivisht në forcimin e proceseve demokratike dhe sundimit të ligjit, duke ofruar stimuj të fuqishëm për miratimin dhe zbatimin e të gjithë kuadrit të reformave të lidhura me integrimin në BE.

Që prej atëherë, Këshilli ka marrë vendimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit në mars 2020, dhe kemi marrë disa vlerësime rresht nga Komisioni se Shqipëria ka plotësuar të gjitha kushtet për Konferencën e e parë Ndërqeveritare.

Vlerësimi i fundit nga Komisioni erdhi vetëm pak ditë më parë në Komitetin e Stabilizim-Asociimit, ku u theksua se “Shqipëria vazhdon të përmbushë të gjitha kushtet para mbajtjes së Konferencës së parë Ndërqeveritare të negociatave të anëtarësimit”.

Edhe vendet anëtare, në Këshillin e dhjetorit 2021, njohën arritjet e qeverisë shqiptare, sado që nuk arritën të miratojnë kuadrin negociues dhe të caktojnë datën për konferencën e parë ndërqeveritare.

Nuk ka aktorë në BE që vënë në dyshim arritjet tona, as edhe qeveritë e shteteve anëtare të BE-së. Por Këshilli bllokohet nga një Shtet Anëtar për një vend tjetër kandidat. Pavarësisht kësaj situate, vendosmëria jonë për të avancuar në axhendën e reformave mbetet e palëkundur. Që nga takimi i fundit i këtij Komiteti, qeveria shqiptare ka zbatuar një proces ambicioz reformash. Bazuar në reformën zgjedhore, më 25 prill 2021 u mbajtën zgjedhje të përgjithshme të suksesshme dhe të mirëorganizuara, me një administratë zgjedhore që fitoi besimin e palëve.

Zbatimi i reformës gjithëpërfshirëse në drejtësi po rezulton në një progres të vazhdueshëm: Gjykata Kushtetuese rifitoi kuorumin e nevojshëm dhe në këtë mënyrë është plotësisht funksionale; Gjykata e Lartë ka rifituar kuorumin dhe është plotësisht funksionale; ndërkohë, rivlerësimi i përkohshëm i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve (procesi i vetting-ut) ka vazhduar në mënyrë të qëndrueshme, duke dhënë rezultate të prekshme. Së fundmi, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ndryshimet kushtetuese që zgjasin mandatin e organeve të vettingut deri në dhjetor 2024.

Shqipëria ka bërë përparim në forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke përfshirë rritjen e bashkëpunimit me shtetet anëtare të BE-së dhe Europol. Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), e përbërë nga Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit po jep rezultate të dukshme. Sa i takon të drejtave themelore, Shqipëria zbaton instrumentet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe ka përmbushur detyrimet e saj. Janë miratuar 9 akte nënligjore në zbatim të ligjit kuadër të vitit 2017 për mbrojtjen e pakicave kombëtare. Numri i shtetasve shqiptarë që paraqesin kërkesa për azil në shtetet anëtare të BE-së është ulur.

Në lidhje me marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimin rajonal, Shqipëria ka vazhduar të angazhohet në mënyrë konstruktive në dialog me vendet fqinje për nxitur bashkëpunimin rajonal dhe për të forcuar marrëdhëniet dypalëshe. Shqipëria ka forcuar angazhimin e saj në një sërë nismash bashkëpunimi rajonal si Procesi i Berlinit, Nisma e Ballkanit të Hapur, kryesimi i Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi gjatë gjysmës së parë të 2021 dhe aktualisht kryesimi i Nismës Adriatiko-Joniane dhe Presidenca e Strategjisë së BE për Adriatikun dhe Jonin, ku prioritetet tona po po fokusohen tek rinia dhe integrimi evropian. Shqipëria ka vijuar të jetë tërësisht e linjëzuar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, jo vetëm si një sinjal i fortë i angazhimit të vendit në rrugën drejt BE-së, por edhe sepse ndajmë vlerat dhe parimet mbi të cilat kjo politikë ndërtohet. Dhe kjo bëhet edhe më e rëndësishme në këtë kohë të trazuar sfidash ndaj sigurisë sonë të përbashkët evropiane. Sulmet ndaj arkitekturës evropiane të sigurisë e bëjnë edhe më të domosdoshme qasjen e përbashkët të BE-së dhe rajonit tonë. Shqipëria sapo ka vendosut t’i bashkohet deklaratës së Bashkimit Evropian që dënon fuqishëm vendimin e Rusisë për të njohur rajonet e Donetsk dhe Luhansk të Ukrainës si entitete të pavarura dhe vendimin që pasoi për të dërguar trupa ruse në këto zona – deklaratë që përcakton se do të ketë sanksione shtesë ndaj Rusisë.

Shqipëria ka qenë e lidhur fort me vlerat dhe parimet e BE-së gjatë kryesimit të suksesshëm të OSBE-së në vitin 2020 dhe në të njëjtën frymë po ushtron mandatin si anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për periudhën 2022/23. Nga ana tjetër, në këtë kohë rishfaqjeje të konkurrencës gjeostrategjike në Evropë, është me rëndësi vendimtare që të mos u jepen mundësi aktorëve të tretë që luajnë rol destabilizues në rajonin tonë – me rëndësi vendimtare për rajonin; me rëndësi vendimtare për sigurinë e Bashkimit Evropian. Prandaj ankorimi i rajonit në një perspektivë të qartë, të besueshme, të prekshme, anëtarësimi në BE është bërë më i rëndësishëm se kurrë. Një anketë e kryer nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal ka treguar tashmë lodhjen e qytetarëve në rajon. Që prej kohës që procesi i anëtarësimit ka mbetur virtualisht i bllokuar, skepticizmi publik është rritur. Siç e përmenda, vullneti i qeverisë sonë për thellimin e reformave mbetet i palëkundur, dhe historiku i arritjeve të Shqipërisë është dëshmi e qartë se nuk kërkojmë justifikime, por vepra nga partnerët tanë evropianë, përveç deklaratave dhe fjalëve.

Shumica e Shteteve Anëtare besojnë se fati i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut janë të lidhur në fazën aktuale të integrimit dhe të dyja vendet duhet të ndërmarrin së bashku hapin tjetër: mbajtjen e Konferences së parë Ndërqeveritare.

Mbetemi me shpresën se situata do të qartësohet në kohë në mënyrë që Presidenca Franceze e Këshillit të mbajë dy Konferencat Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke qenë se këto dy vende janë të përgatitura ta bëjnë këtë, në rast se veto bullgare hiqet. Sot ne jemi në ngërç. Një ngërç që është në kurriz të Shqipërisë, rajonit, BE-së dhe procesit të Integrimit Evropian. Besueshmëria dhe parashikueshmëria e procesit janë cënuar nga ky ngërç. Nëse interesi i BE-së në rajon është stabiliteti, prosperiteti dhe paqja, ne jemi duke humbur nga mbajtja larg e vendeve të rajonit që aspirojnë anëtarësimin.

Edhe siguria e Bashkimit Evropian do të cënohej, nëse BE do të humbiste ndikimin në rajonin e Ballkanit Perëndimor, nëse nuk do të dëshmonte aftësinë për të menduar strategjikisht. Prandaj është e rëndësishme që bashkëpunimi ynë i ngushtë dhe mbështetja e Parlamentit Evropian të ndihmojnë për arritjen e objektivit tonë të përbashkët te integrimit evropian të Shqipërisë, hap pas hapi – duke filluar nga Konferenca e Parë Ndërqeveritare. Unë ju uroj vazhdim të suksesshëm të takimit. Shpresoj që ky takim të shërbejë si një mundësi tjetër për të treguar përkushtimin tonë të përbashkët ndaj vizionit të Shqipërisë Evropiane.”, tha Xhaçka.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT