9.5 C
Tiranë
Sunday, November 24, 2024
spot_img

Presidenti Meta vlerëson pastorin Fitor Muça me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”

Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” Pastorin e Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë, Fitor Muça: “Me mirënjohje për përkushtimin e pandërprerë gjatë tri dekadave, në ndihmë të njerëzve në nevojë; për shërbesën në mbjelljen e shpresës si dhe në fuqizimin e vlerave njerëzore e kombëtare në shoqërinë shqiptare post-komuniste. Në vlerësim të angazhimit të veçantë dhe vetëmohues gjatë krizës së Kosovës si dhe për punën e palodhur për t’u ardhur në ndihmë shumë të pastrehëve në qytetin e Tiranës.”

Në fjalën e tij, Presidenti Meta u shpreh se pastor Muça prej tri dekadash i është përkushtuar me shpirt e zemër mbjelljes së shpresës dhe mbështetjes së njerëzve më në nevojë.

“Të nderuar pjesëmarrës, të dashur miq dhe të ftuar, zonja dhe zotërinj.
Është kënaqësi të jemi sot, së bashku, për të vlerësuar kontributin e pastor reverend Fitor Muçës, i cili prej tri dekadash i është përkushtuar me shpirt e zemër mbjelljes së shpresës dhe mbështetjes së njerëzve më në nevojë.

Në një moment të veçantë të shoqërisë sonë, siç qenë ngjarjet që sollën pluralizmin politik, pastor Muça hyri në rrjedhën e ndryshimit epokal, të hapjes së besimit në Perëndinë.

Ai e nisi këtë udhëtim 30 – vjet më parë, përmes themelimit të kishës ungjillore ‘Rilindja’, si një shërbesë shpirtërore, që prek individin, shoqërinë dhe kombin.

Në përditshmërinë e përkushtimit, pastor Fitor Muça iu ka shërbyer njerëzve në nevojë dhe të pastrehëve, në të gjithë hapësirën e qytetit të Tiranë, për sigurimin e bukës së përditshme, falë edhe mbështetjes dhe ndihmës së Fondacionit ‘Shpresë për Shqipërinë’.

Këtë nevojë njerëzore dhe sociale, pastor Muça vazhdon ta përmbushë edhe sot, duke ofruar ushqim të ngrohtë për 5 ditët e javës për rreth 100 persona.

Në jetën e Pastor Muçës është ndërthurur ndjeshmëria njerëzore dhe përkushtimi, duke ofruar ndihmesë shpirtërore dhe sociale.

Përkujdesi i tij për nevojat e komuniteteteve është i vazhdueshëm dhe po ashtu, është vëmendja e pandërprerë ndaj shqetësimeve të tyre, që kërkojnë zgjidhje.

Këto tipare të rëndësishme të Pastor Muçës kanë spikatur fort në një periudhë të vështirë për vendin, gjatë luftës së Kosovës, kur shërbeu si drejtues në Qendrën Tranzite të Refugjatëve nga Kosova, të ngritur në Pallatin e Sportit ‘Asllan Rusi’.

Në bashkëpunim me UNHCR-në (Komisariatin e Lartë të Kombeve të Bashkuar për Refugjatët), Reverend Muça shërbeu si koordinator, në mars-qershor 1999, duke akomoduar dhe shpërndarë në hapësira të tjera, rreth 100.000 kosovarë.

Po në këtë periudhë intensive, Pastor Muça hapi një qendër akomodimi për 120 shqiptarë të Kosovës, duke e kthyer atë në Shtëpinë e Shpresës, për vëllezërit dhe motrat tona, në kohën më tragjike të gjenocidit serb.

Përballja me dhimbjen njerëzore të shqiptarëve të Kosovës u bë nxitja dhe thirrja e veçantë për Pastor Muçën, për t’u vendosur edhe në Gjakovë e Skijan.

Në Kosovë, Pastor Muça iu shërbeu e ndihmoi 200 familje jetimësh, siguroi mbështetje financiare për disa familje dëshmorësh dhe ndihmoi në rindërtimin e shtëpive të shkatërruara nga zjarrvënia e forcave serbe.

Në këtë udhëtim të gjatë të jetës së tij, pastor Muça e ka shtrirë veprimtarinë, si shërbestar besimi edhe në rininë shqiptare, për të përcjellë modelin qytetar, njerëzor e atdhetar te më të rinjtë shqiptarë.

Ndërkohë që, një vend të veçantë në jetën e tij zë këmbëngulja për njohjen e Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë, si komuniteti i pestë zyrtar fetar në vendin tonë.

Fillimisht si Zëvendëspresident, e më pas si President, Pastor Muça udhëhoqi hap pas hapi, dhe siguroi mbështetjen e duhur për njohjen e Vllazërisë Ungjillore Shqiptare, duke i dhënë kështu vendin e merituar në historinë tonë kombëtare, si promovuese e atdhetarizmit dhe e krishtërimit.

I gjithë ky rrugëtim njerëzor, intelektual, shoqëror, fetar e atdhetar dëshmon dashurinë dhe përkushtimin e Pastor (Reverend) Fitor Muçës, për t’i shërbyer kombit shqiptar.

Pastor Muça ia ka dedikuar jetën ndryshimit të vërtetë të shoqërisë e të kombit, përmes dashurisë dhe përkushtimit ndaj çdo individi në nevojë, duke ndjekur shembullin e shenjtores sonë, Nënë Tereza e cila ka thënë: “Dashuria e madhe nuk matet, vetëm jepet”.

Prandaj është kënaqësi të jemi së bashku sot, për të vlerësuar përtej individit, çdo gjurmë dhe shenjë, që Pastor Muça ka lënë në jetën e shumë njerëzve.

Ju faleminderit!”, tha Meta.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT