0.5 C
Tiranë
Monday, November 25, 2024
spot_img

Siguria bërthamore një shqetësim global, Putin mund të përdor centralet si objektiv sulmi ushtarak

Nuk është hera e parë në këtë luftë që ngrihet çështja e sigurisë bërthamore. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore – këtë ide e ka përmendur hapur presidenti rus Vladimir Putin – por edhe për centralet bërthamore si objektiva ushtarake.

A mund të sulmohen centralet bërthamore gjatë një lufte?

Kievi dhe Moska fajësojnë njëri-tjetrin për sulmet. Por kjo ka ngjallur frikën për një katastrofë në centralin më të madh bërthamor në Evropë. Këshilli i Sigurimit i OKB-së mbajti një takim urgjent mbi situatën në Zaporishja javën e kaluar, por nuk pati ndonjë zgjidhje.

Nuk është hera e parë në këtë luftë që ngrihet çështja e sigurisë bërthamore. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore – këtë ide e ka përmendur hapur presidenti rus Vladimir Putin – por edhe për centralet bërthamore si objektiva ushtarake.

Po çfarë thotë e drejta ndërkombëtare për këtë? Konventa e Gjenevës, e vitit 1949, dhe protokollet e saj të mëvonshme shtesë rregullojnë zhvillimin e konflikteve të armatosura dhe synojnë të kufizojnë efektet e tyre. Neni 56 i Protokollit 1 shtesë, të vitit 1977, flet për “Mbrojtje të instalimeve dhe objekteve që paraqesin rrezik të madh”. Përveç digave, këtu përmenden shprehimisht edhe centralet bërthamore.

Meqenëse Federata Ruse dhe Ukraina e kanë nënshkruar ate dhe nuk kanë shprehur asnjë rezervë në lidhje me Protokollin e Parë Shtesë, rregullat vlejnë edhe për këto dy shtete.

E këto rregulla janë çuditërisht të detajuara. Në parim, centralet bërthamore nuk mund të sulmohen, sipas paragrafit 1 “as (…) nëse ato përfaqësojnë objektiva ushtarake, nëse dihet se një sulm i tillë mund të lirojë forca të rrezikshme dhe në këtë mënyrë të shkaktojë viktima të shumta në mesin e popullatës civile”. Këtu mendohet padyshim tek rrezatimi radioaktiv.

Këtu bëhet fjalë për një nga parimet e të drejtës ndërkombëtare humanitare, siç specifikohet në Konventën e Gjenevës: dallimin midis qëllimeve ushtarake dhe civile. Vetëm objektivat ushtarake mund të sulmohen dhe ate vetëm në kushte të caktuara. Në çdo rast, popullsia civile duhet të mbrohet.

Centralet bërthamore “në shërbim të luftës”

Nga ky nen del po ashtu se centralet bërthamore nuk janë gjithmonë tabu, por vetëm “nëse një sulm i tillë mund të lirojë lëndë të rrezikshme dhe në këtë mënyrë të shkaktojë viktima serioze në mesin e popullatës civile”. Kjo do të thotë se nëse nga një sulm nuk pritet të ketë viktima serioze në mesin e popullatës civile, sulmet e tilla mund të lejohen në rrethana të caktuara.

Paragrafi 2 rregullon se cilat rrethana mund të jenë, pra kur centralet bërthamore “furnizojnë energji elektrike mbështetjen e rregullt të operacioneve të luftës dhe nëse një sulm i tillë është i vetmi mjet praktik për të ndërprerë këtë mbështetje”.

Pika e parë është sigurisht një çështje interpretimi. Pothuajse çdo central bërthamor siguron energji si për konsumatorët civilë ashtu edhe për operacionet usharake në kohë lufte. Një ndarje e qartë vështirë se është e mundur. Por a ofron centrali mbështetje “të rëndësishme” për operacionet e luftës? Këtu i takon palës së caktuar të gjykojë nëse një central bërthamor mund të trajtohet si objektiv legjitim ushtarak apo jo.

Qëllimi kryesor: mbrojtja e popullatës civile

E vështirë është po ashtu të dëshmohet nëse një sulm “është i vetmi mjet praktik i mundshëm” për t’i dhënë fund mbështetjes për luftën. Në çdo rast, sulmuesi i mundshëm duhet t’i peshojë gjërat paraprakisht dhe të respektojë parimin e proporcionalitetit: A bëhet fjalë për përfitime të qarta ushtarake? Çfarë pasojash do të kishin veprimet në popullatën civile? A ka edhe mundësi të tjera për ta bërë centralin të papërdorshëm? Për shembull, shkatërrimi i linjave të energjisë në mënyrë që centrali të mos furnizojë më energji elektrike dhe të mos ketë rrezatime. Sigurisht që ndërprerja e furnizimit me energji elektrike mund të ketë pasoja serioze për popullatën, veçanërisht në dimër.

Por edhe kur rrethanat justifikojnë një sulm, paragrafi 3 i Protokollit Shtesë thotë se “popullsia civile (…) duhet të ketë të drejtën e të gjitha (…) mbrojtjeve të ofruara nga ligji ndërkombëtar”. Sulmuesi duhet të bëjë gjithçka që është e mundur për të mbrojtur civilët nga rrezatimi, për shembull duke evakuuar zonat përreth.

Përdorimi i kufizuar në raste të veçanta

Edhe paragrafi 5 është i rëndësishëm për konfliktin tek centrali Zaporishja: “Palët e përfshira në konflikt do të përpiqen të mos vendosin asnjë objektiv ushtarak në afërsi të centraleve ose objekteve të përmendura në paragrafin 1.” Ukraina akuzon Rusinë se ka vendosur forca ushtarake në centralin bërthamor, duke e përdorur praktikisht atë si një mburojë për të shmangur granatimet ukrainase. Në anën tjetër, zyrtari i autoriteteve lokale pushtuese ruse Vladimir Rogov, akuzoi të hënën Ukrainën për bombardime të rënda me armë amerikane të centralit dhe zonave të banuara afër.

Në pjesën që flitet për ndalimin e vendosjes së objektivave ushtarakë në afërsi të një centrali bërthamor, shpjegohet: “…mund të vendosen trupat për mbrojtjen e impianteve”. Rusia pohon se forcat ruse atje thjesht janë për të mbrojtur centralin.

Konsatatimi: Shtetet që nënshkruan Konventën e Gjenevës dhe protokollet e saj shtesë – e këtu bëjnë pjesë edhe Rusia dhe Ukraina – i kanë vendosur vetes pengesa të larta për sulmet ndaj centraleve bërthamore. Por sulmet nuk përjashtohen plotësisht, ndonëse kushtet janë të caktuara në mënyrë strikte.

Megjithatë, efektet praktike të nenit 56 të Protokollit 1 Shtesë të Konventës së Gjenevës kanë fuqi të kufizuar veprimi. Sepse zakonisht është çështje interpretimi nëse këto rrethana ekzistojnë në rastin konkret apo jo. Përveç kësaj, Rusia ka një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së me të drejtë vetoje dhe mund të parandalojë çdo sanksion të mundshëm të Kombeve të Bashkuara kundër saj, për shkelje të ligjit ndërkombëtar.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT