10.5 C
Tiranë
Wednesday, January 28, 2026
spot_img

Kryeministri Edi Rama ka shpërthyer në akuza,duke shigjetuar presidentin Ilir Meta dhe kreun e PD-së, Lulzim Basha.

Kryeministri Edi Rama ka shpërthyer në akuza në lidhje me ngjarjen e rëndë, vrasjen e të riut Klodian Rashës, duke shigjetuar presidentin Ilir Meta dhe kreun e PD-së, Lulzim Basha.

Në një dalje për mediat, kreu i qeverisë tha se i pari që ka cënuar institucionet është Meta, ndërsa i sugjeroi atij që mos të hapë gojën për policinë. Ndërsa Bashën e ka cilësuar një lider kukull që merrej me revolucione të mbetura në tentativë.

“Tragjedia e natës së para dy ditëve është një episod krejt i shkëputur, fatal, i dënueshëm e i pafalshëm, por pa asnjë lidhje me frymën dhe punën e Policisë së Shtetit. Kush thotë të kundërtën ka thjesht një opinion të ndryshëm, rëndom politikisht të motivuar, po fatmirësisht nuk ka fakte që të provojë atë që thotë. Dhe Presidenti i Republikës, që është në fakt prova më ulëritëse e përdorimit disproporcional të forcës së inatit politik e personal në dëm të etikës institucionale dhe vetë ligjit, është i parafundit që duhet të hapë kamaren e gojës për sjelljen e Policisë së Shtetit; jo thjesht sepse është qysh në krye të herës, njëri ndër nxitësit e organizatorët e atyre serialeve të dhunshme që kujtova më lart, as sepse qoftë sa për sy e faqe, nuk e ka thënë kurrë një fjalë të vërtetë solidariteti për efektivat e policisë nën presionin e dhunës, po sepse është njëri ndër shembujt më të këqinj të sjelljes shoqërore e institucionale në historinë e Shqipërisë. Sidoqoftë është i parafundit në këtë rast.

Sepse i fundit që mund të japë gjykime morale e leksione karakteriale, për se si duhet të sillet Policia e Shtetit apo se si duhet të reagojë ministri i brendshëm, pas ngjarjes tragjike të natës së 8 dhjetorit, është kryetari kukull i opozitës, Lulzim Basha. Ai në fakt është shembëlltyra e pafuqisë morale dhe e dobësisë karakteriale, jo thjesht sepse është udhëheqësi i disa revolucioneve të mbetura në tentativë, të cilat të vetmen arritje kanë pasur plagosjen e policëve, as sepse është ndotësi numër dy i Policisë së Shtetit me baltën e pafundme të shpifjeve e të akuzave, pas kutërbuesit numër 1 të historisë së Shqipërisë që ka mbi kokë, ai bashkë me Partinë Demokratike, por sepse është ministri i brendshëm i masakrës së 21 janarit, ku nuk ishte një polic patrulle që vrau një njeri në mes të natës në një rrugicë periferike, në rrethana krejt absurde, po ishte qeveria, kryeministria e kthyer në një bunker, me dhjetra grykë zjarri, që vrau katër protestues krejt paqësorë, kur protesta po shpërndahej – pa llogaritur sakatimin kafshëror të qindra të tjerëve. Policia e Shtetit sot nuk ka asnjë krahasim me dje. Rezultatet e saj sot nuk kanë asnjë krahasim me dje. Gjendja e rendit dhe sigurisë sot nuk ka asnjë krahasim me dje. Sjellja e efektivëve të policisë sot nuk ka asnjë krahasim me dje. Faktet, shifrat, opinioni i publikut, flasin kokëfortësisht për pamundësinë e këtyre krahasimeve.

Por gjithashtu, nuk ka asnjë diskutim se si çdo pyll që ka derrat e vet, ka edhe Policia e Shtetit të padenjët e saj. Dhe askush, asnjëherë nuk ka pretenduar të kundërtën. Përkundrazi, vijimësisht, pastrimi i radhëve të Policisë nga të padenjët, ka qenë pjesë e reformimit e transformimit të saj të vazhdueshëm. Drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit sot, përfshirë edhe ministrin e brendshëm, nuk janë as të rënë nga qielli, as pa gabime në këto vite të stërngarkuara pune, pa orar e pa u ankuar kurrë për vështirësitë e përditshme.

Ama askush nuk mund të ngrejë akuza në drejtim të tyre – me fakte e prova, se me llafe rrugësh e dokrra mediatike kollaj fare – as se janë të lidhur me krimin, as se janë të korruptuar a të mbingarkuar politikisht dhe as se me sjellen e veprimet e tyre, ndikojnë negativisht mbi trupën e Policisë së Shtetit. Sic nuk krahasohen nata me ditën, nuk krahasohen dot jo vetëm puna dhe sjellja e policisë së shtetit dje e sot, po as shkalla e tolerancës dhe niveli i dëgjimit të qytetarëve të qeverisë dje, me qeverinë sot. Unë jam krenar që në këto shtatë vjet e dy muaj qeverisje, protesta e ka rifituar qysh në krye të herës të drejtën e humbur të qytetarisë në vitet e zymta të qeverisjes së vrasësve të saj me presionet e deri edhe armët e shtetit. Kur ne sapo e kishim nisur rrugën e qeverisjes së vendit, tamam shtatë vjet më parë, u zhvillua në Shqipëri protesta më e madhe e më qytetare e viteve të pluralizmit demokratik; ajo e refuzimit ndaj armëve kimike, ku nuk u thye asnjë xham, nuk u plagos asnjë polic, nuk u dogj asnjë fije bari e nuk u shfaq asnjë grimcë nga rrugaçëria e halabakëria tipike, e protestave të nxitura dhe organizuara prej pushtetarëve të rënë nga vakti, që duan të rikthehen në pushtet me pahirin e mosarsyes, me inskenimet e pambarimta e me dizinformimin sistematik të opinionit publik, deri edhe për të vdekurit në spitale! Në atë protestë masive atëherë, fitoi populli dhe reflektoi qeveria. E cila dëgjoi popullin e iu nënshtrua jo shembullit të forcës, po forcës së shembullit të protestuesve të panumërt.

Po ashtu në protestën e studentëve, dy vjet më parë si sot, ku përjashtuar ndonjë ekses i disa ndotësve të mjedisit demokratik të futur su kallauzë të partive të shëmtisë e të gjullurdisë antiqytetare, asnjë xham nuk u thye e asnjë fije bari nuk u dogj dhe përsëri, fituan studentët dhe reflektoi qeveria!
E qysh nga ai fillim i para shtatë vjetëve e më pas dhe deri më sot, s’ka bërë vaki asnjëherë që qeverisja jonë të degradojë në arrogancën, brutalitetin, shëmtinë e tejkalimit të së drejtës së ushtrimit të forcës mbi qytetarët, për të imponuar zbatimin e vendimeve të veta. Ndërsa Policia e Shtetit në asnjë rast nuk i ka shërbyer pushtetit, po ligjit dhe popullit shqiptar.
Pavarësisht se nuk kanë qenë të pakta herët kur jemi ndeshur me inskenime kërcënuese, përballur me provokime të rrezikshme, ballafaquar me agresione brutale e të shëmtuara, ne kurrë nuk e kemi keqpërdorur policinë, kurrë nuk e kemi yshtur atë politikisht, kurrë nuk e kemi kërkuar nga ajo atë çka kurrë nuk e kemi dëshiruar në fakt: Përplasjen me forcë me protestuesit! As kur protestuesit kanë qenë jo qytetarë, as popull, po militantë e fanatikë partish kundështare, mes të cilëve ka spikatur në të gjithë shëmtinë e vet, dora e huliganëve pa atdhe, pa din e as iman, si ata që mbrëmë i vunë flakën pemëve të Krishtlindjeve e të Vitit të Ri, për turpin e frymëzuesve të tyre të paturpshëm, policia ka qenë e shtetit jo e pushtetit, e ligjit jo e Maliqit, e mundimit dhe e durimit, jo e hurit dhe e litarit! Prandaj sot dua t’u them të gjithë efektivëve të Policisë së Shtetit, në radhë të parë atyre që edhe mbrëmë u përballën me gurët, me zjarrin e me gojën e pistë të tufës së hienave që donin të shqyenin dritare e dyer institucionesh, në emër të Klodianit po për llogari të katërshes së valltarëve të shpatave e të sherreve, që të ndjehen krenarë për uniformën, për sakrificën, për shërbimin e palodhur ndaj ligjit e vendit.”, tha Rama.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT

Abarth, macja xhenxhefili nga Padova shpallet ‘më e bukura në botë’

0
Qyteti italian i Padovës është shndërruar në një qendër për adhuruesit e maceve, duke pritur një event që kombinon spektaklin dhe konkurrencën ndërkombëtare të...

Debat në Kuvend për projektin TID Durrës: Banorët ankohen për mungesë konsultimi

0
Sot në Komisionin për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën u zhvillua një seancë dëgjimore për projektin TID në Durrës, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga Ministria...

Trump paralajmëron Iranin: Marrëveshje ose sulm nga SHBA”

0
Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar udhëheqësit iranianë për të arritur një marrëveshje, duke lënë të kuptohet se në rast refuzimi, Shtetet e Bashkuara...

Rama: ‘Made in Albania’ si pasaportë drejt BE-së, qeveria mbështet fuqimisht eksportuesit”

0
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se marka “Made in Albania” përfaqëson jo vetëm cilësinë, por edhe një pasaportë drejt Bashkimit Europian, dhe qeveria do...

Gjykata në Leipzig shpall të pafajshëm 52-vjeçarin shqiptar për vrasjen e bashkatdhetarit

0
Një gjykatë rajonale në Leipzig, Gjermani, ka shpallur të pafajshëm një 52-vjeçar shqiptar, i akuzuar për vrasjen e një bashkatdhetari të tij 29-vjeçar, më...