16.5 C
Tiranë
Thursday, November 28, 2024
spot_img

Shtyhet aplikimi i tatim-fitimit për profesionistët e lirë ,nuk do të nisë në 1 janar 2023

Qeveria nuk parashikon që ligji i ri “Për tatimin mbi të ardhurat” të hyjë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm.

Sipas burimeve nga Dhomat e Biznesit, në konsultimet për paketën fiskale, përfaqësues të Ministrisë së Financave janë shprehur se varianti përfundimtar i projektligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” është duke u përfunduar dhe do të përcillet në qeveri brenda vitit. Megjithatë, sipas deklarimeve në këto konsultime, ligji i ri nuk do të hyjë në fuqi nga 1 janari 2023 dhe për këtë arsye ky ligj nuk është bërë pjesë e paketës fiskale.

Projektligji “Për tatimin mbi të ardhurat” i hedhur për konsultim më herët gjatë këtij viti nga Ministria e Financave parashikonte ndryshime thelbësore në skemën e tatimit të biznesit të vogël, por, në shumicën e tyre, këto ndryshime do të hyjnë në fuqi vetëm në vitin 2029. Përjashtim do të bëjnë vetëm personat fizikë që veprojnë si profesionistë të lirë, për të cilët parashikohej aplikimi I tatim-fitimit duke filluar nga viti 2023.

Varianti i fundit i publikuar i këtij projektligji parashikonte se profesionistët e lirë do të paguanin tatim të përshkallëzuar deri në masën 23%. Qëllimi i kësaj mase është të barazojë tatimin e të vetëpunësuarve me atë të individëve të punësuar, por duke njohur një masë të caktuar shpenzimesh vjetore (sa 30% e xhiros për veprimtaritë e pavarura) para fitimit mbi të cilin do të aplikohet tatimi.

Shkalla tatimore do të jetë 13% për të ardhurat vjetore deri në 2 milionë e 40 mijë lekë (170 mijë lekë në muaj), ndërsa mbi këtë prag shkalla e tatimit do të arrijë në 23%.

Pasi qeveria shqiptare nisi aplikimin e tatimit progresiv mbi pagat në vitin 2014, shumë profesionistë shërbimesh vendosën ta deklaronin veten si të vetëpunësuar, megjithëse në realitet vazhdonin të ishin të punësuar pranë një punëdhënësi të vetëm. Një sjellje e tillë u nxit më shumë pas vendimit për të përjashtuar plotësisht nga tatimi mbi të ardhurat biznesin e vogël.

Për të korrigjuar këtë hapësirë shmangieje që kishte krijuar trajtimi i diferencuar tatimor mes të punësuarve dhe të vetëpunësuarve, qeveria ka vendosur të ndryshojë ligjin, duke aplikuar edhe për këta të fundit një shkallë të njëjtë me atë të tatimit për të ardhurat nga paga.

Pavarësisht se procedurat e miratimit të ligjit të ri janë shtyrë në kohë, për pjesën që lidhet me profesionistët e lirë qeveria ngelet e vendosur për ndryshimet e reja, siç u konfirmua në një intervistë të dhënë këtë muaj nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë.

Megjithatë, ky ndryshim nuk pritet të hyjë në fuqi që në fillim të vitit dhe profesionistët e lirë do të vazhdojnë edhe për pak më shumë kohë të ushtrojnë aktivitet, të përjashtuar nga tatimi mbi të ardhurat.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT