Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka raportuar se si është situata në terren për shkak të motit të keq që ka përfshirë vendin.
Në një dalje për mediat, Peleshi theksoi se në ditët në vijim priten reshje të shumta, sidomos në pjesën veriore të vendit.
Mes të tjerash Peleshi tha se mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave në zonat urbane në disa qarqe, gjë që mund të sjellë dhe përmbytje. Po ashtu ministri tha se janë marrë masat nga institucionet.
DEKLARATA E PELESHIT
Nisur nga përkeqësimi i motit në 24 orët e fundit, edhe në ditët në vijim presim reshje të shumta sidomos në pjesën veriore të vendit. Natyrisht kjo na përball edhe me rrezikun e emergjencave të natyrave të ndryshme pothuajse në të gjithë vendin. Ndaj e vlerësoj të nevojshme jo vetëm për institucionet, por edhe për qytetarët të bëjnë një informacion si dhe të bëj me dije publikun lidhur me parashikimet e Institutit të Gjeo-shkencave lidhur me prurjet në liqene, në përrenj, në lumenj, në përmbytjet e mundshme si dhe masat që duhet të marrin qytetarët, bashkitë, prefekturat edhe të gjithë institucionet e tjera të zinxhirit të sistemit të EC.
Ishte parashikuar, e kemi paralajmëruar në 24 orët e fundit, se në pjesën e lumit Drin ka mbizotëruar mot i paqëndrueshëm dhe reshje shiu. Për 24 orë ka rënë mesatarisht 65 mm në basenin e Komanit, Vaut të Dejës dhe, rreth 30 mm në basenin e Fierzës. Sasia me e madhe e reshjeve është regjistruar në Alpet e Shqipërisë, rreth 120 mm në Theth, Valbonë dhe rreth 100 mm në zonën e Pukës.
Reshjet e rëna deri tani janë përkthyer në këto vlera prurjesh: në Fierzë 450 m3/sek, në Koman 56 m3/sek dhe Vau Dejës rreth 130m3/sek. Deri tani në raportimet e 24 orëve të fundit nga qarqet nuk kemi situata problematike në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër dhe Lezhë. Mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave në zonat urbane në këto qarqe, mund të shfaqen probleme përmbytjeje të lokalizuara në varësi të gjendjes se kanalizimeve, por dua të bëj këtu me dije se të gjitha shtabet e bashkive në drejtimin e institucionit të prefektit janë në gatishmëri. Janë marrë masa. Bashkitë kanë punuar në kohë për të parandaluar përmbytjet e mundshme me pastrimin e kanaleve dhe masa të tjera. Gjenerimi në kaskatë do të jete i përqendruar në regjim maksimal në HEC-in e Fierzës në hidrocentralin e Komanit, Vaut të Dejës. Bazuar nga informacioni i Institutit të Gjeoshkencave parashikimet e deritanishme të reshjeve për ditët në vazhdim 17, 18, 19, dhe 20 si dhe parashikimet hidrologjike për sot dhe ditët në vazhdim janë si me poshtë:
Për ditën e sotme priten reshje shumë intensive në qarqet Shkodër dhe Kukës, reshje intensive në qarqet Dibër dhe Lezhë, mesatare dhe lokalisht intensive në qarqet e tjera të vendit.
Në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër reshjet priten të shoqërohen dhe me shtrëngata. Reshje mesatare dhe intensive priten pothuajse në të gjitha zonat e tjera të vendit.
Më të përqendruara siç e thamë dhe me intensitet me të lartë do të jene në veri të Shqipërisë. Prurjet në kaskatë të lumit Drin do të pësojnë rritje prej mëngjesit të ditës se sotme dhe do të vijojnë në rend rritës deri në datë 21 janar për shkak të reshjeve të shiut me intensitet të lartë. Piku orar i prurjeve pritet të arrijë deri në vlerat: për Fierzën 2500 m3/sek, në Koman 2200 m3/sek, Vau i Dejës 1100 m3/sek; piku i orareve të prurjeve në lumin Drin pritet të arrijë deri në 5800 m3/sek.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka sjellë në vëmendjen e bashkive nga dita e djeshme rritjen e gatishmërisë së strukturave të Sistemit të Mbrojtjes Civile që kanë në administrim hidrovore, rezervuarë, infrastrukturë rrugore, furnizim me energji elektrike, furnizimin me ujë, monitorimin e nivelit të lumenjve dhe çdo strukture tjetër, që është në funksion të menaxhimit të EC.
Bashkitë kanë bërë njoftimet për popullsinë e rrezikuar si dhe kanë rritur gatishmërinë operacionale të kapaciteteve të tyre, konkretisht:
Bashkia Shkodër, ritheksoj nevojën për marrjen e masave për paralajmërimin e popullsisë veçanërisht në zonat e rrethinave të Shkodrës, të marrë masa për monitorimin e lumenjve të Bunës, Kirit dhe Drinit kontrollin e vazhdueshëm të gjendjes të argjinaturave të lumenjve si dhe të digave të ujëmbledhësve, kontrollin e funksionalitetit të hidrovoreve në zonën e Velipojës mbajtjen në gatishmëri të mjeteve të kontraktorëve të mirëmbajtjes së rrugëve.
Bashkia Lezhë të marrë masat për paralajmërimin e popullsisë veçanërisht në zonat e rrezikuara, monitorimin e lumit Drin, kontrollin e vazhdueshëm të argjinaturave digave ujëmbledhëse, kontrollin e funksionimit të hidrovoreve në zonën e Tales dhe Dorovicës mbajtjen në gatishmëri të mjeteve të kontraktorëve të mirëmbajtjeve të rrugëve, mbajtjen në gatishmëri të kapaciteteve logjistike dhe burimeve njerëzore të forcave operacionale për përballimin e çdo situate të mundshme.
Bashkia Dibër duhet të marrë masa për paralajmërimin në kohë të popullsisë veçanërisht në zonat ku ka përrenj, të cilët pritet të rrisin prurje dhe të rrezikojnë bllokimin e rrugëve, apo banesat përreth, kontrollin e vazhdueshëm te argjinaturave dhe digave ujëmbledhëse, mbajtjen në gatishmëri të mjeteve për mirëmbajtjen e rrugëve në bashkëpunim dhe me kontraktorët si dhe të gjitha kapacitetet e tjera logjistike të sistemit të emergjencave.
Në bazë të parashikimit për situatën hidrologjike të përkeqësuar në gjirin e Vlorës janë marrë masa në drejtimin e institucionit të prefektit: është ndaluar dhënia e leje nisjeve gjatë datave 16, 17, 18 dhe 19 janar për të gjitha mjetet e vogla lundruese anijeve të peshkimit që operojnë jashtë gjirit të Vlorës dhe gjithashtu janë njoftuar këto anije për marrjen e masave dhe sigurimin e tyre. Mjetet e vogla lundruese dhe anijet e peshkimit që operojnë brenda gjirit të Vlorës duhet të kenë në konsideratë kushtet e parashikuara dhe të marrin masa për sigurimin e tyre.
Janë njoftuar drejtuesit e anijeve të peshkimit dhe mjetet e vogla lundruese për situatën e përkeqësuar në vendet e parkimeve të mjeteve dhe parandalimin e situatave gjatë datave 16, 17, 18 dhe 19 janar. Anijet e transportit detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht. Presim deri rreth datave 20 dhe 21 janar në të gjithë vendin, por veçanërisht në zonat që përmenda specifikisht, rritje të reshjeve në zonat mbi nivelin e detit.
Për shkak të uljes së temperaturave do të ketë edhe reshje bore ndaj të kemi parasysh se pranë çdo bashkie funksionon një shtab emergjencash.
Institucioni i prefektit duhet të jetë akoma më tepër në bashkëpunim me të gjitha bashkitë dhe sidomos me të gjithë rrjetin e kryepleqve të fshatrave sepse së pari qytetarët duhet të jenë të informuar se ku priten rrëshqitje, ku priten emergjenca, ku priten përmbytje dhe t’i shmangin ato sa më shumë të jetë e mundur.
Natyrisht në këtë sezon të vështirë të disa ditëve me reshje, të gjithë sëbashku edhe në bashkëpunim, siç është bërë tani e konsoliduar, do të kemi prioritet jetën e njerëzve dhe pasurinë e tyre më pas, do të jemi në komunikim të vazhdueshëm me publikun për çdo situatë dhe gjithashtu mirëpresim ndarjen e informacionit jo vetëm nga sistemi i institucioneve që funksionon më së miri por dhe nga qytetarët e thjeshtë që ndonjëherë mund të jenë decisive për të ndërhyrë në kohë dhe për të marrë masa, duke na lajmëruar sa më herët për ndonjë emergjencë lokale të shfaqur në territor.