Kur ishte vetëm 23-vjeç, Erind Mrruku përdori armën dhe mori jetën e një personi. 13 vite më pas, sot 36 vjeç, efektivët e policisë e arrestuan në rrugë, me një pistoletë të mbushur gati për qitje. Hetuesit dyshojnë se Mrruku mund të jetë anëtar i një grupi kriminal në Tiranë.
Kur efektivët e komisariatit numër 5 e ndaluan në rrugën “Nënë Tereza” në Kamëz, Erind Mrruku nuk bëri rezistencë. Armën ja morën nga brezi, dhe policia ka dyshime të forta se 36-vjeçar me banim në Kamës ishte bërë gati të vriste një tjetër person. Por teksa po hetohet për të zbuluar se për ku ishte nisur i riu dhe kë do të ekzekutonte, deri më tani 36-vjeçari nuk ka pranuar të flasë para hetuesve për të treguar shënjestrën.
Gjatë kontrollit, policia i gjeti pistoletën me fishek në fole, krehër dhe municion luftarak. Ndërsa gjatë kontrollit në banesën e tij, u gjetën një këllëf për mbajtjen e pistoletës, dylbi, tre mjete prerëse, 3 aparate celulare dhe një peshore për metale të çmuara. Në vitin 2010, kur ishte vetëm 23 vjeç, Erind Mrruku vrau Fabian Nikën dhe disa orë pas krimit, u vetëdorëzua në polici. Fabian Nika u vra në moshën 25-vjeçare pas një sherri për një vajzë në një lokal në plazhin e Shëngjinit, ku të dy ishin ulur në tavolina të ndryshme. Viktima me Marenglen Pukën kanë pasur konfliktin me njëri-tjetrin në lidhje të njëjtën vajzë për cilën shfaqnin interes.
Marengleni, më 22 korrik 2010 me automjetin e babait të tij mori djalin e dajës së tij dhe prej Ishullit Lezhë shkuan në Shëngjin. Gjatë rrugës janë ndeshur me Fabianin, i cili i ka kërkuar Marenglenit të hapë krahun e të fliste më të. Midis tyre nisi një debat i ashpër. Pas bisedës me Fabianin, Marengleni i ka telefonuar Mrrukut dhe kanë vendosur të takohen. Midis Fabianit dhe Mareglenit ka nisur debati, pa arritur në konfrontim fizik.
Në debat u përfshirë edhe Erindi, i cili i ka kërkuar viktimës që të largohej nga lokali. Fabiani së bashku me shokun që e shoqëronte u largua duke thënë “hajt se do të takohemi”. Në orën 23:00 janë takuar sërish në Lezhë. Fabiani ka tentuar të komunikojë me Erindin për konfliktin që kishte ndodhur rreth një orë më parë.
Erindi në atë moment ka nxjerrë pistoletën që e mbante në çantë dhe ka qëlluar mbi Fabian, i cili u plagos rëndë dhe gjeti vdekjen rrugës për në spitalin ushtarak. Djali i një biznesmeni të njohur lezhjan, sapo kishte filluar karrierën, më paraqitjen e tij të fundit ai u prezantua bashkë me këngëtaren Samanta Karavello me këngën “Të dua”.