Kompania “Air Albania”, e cila ka shtetin shqiptar si aksioner prej vitit 2018, nuk ka publikuar asnjë pasqyrë financiare publike prej këtij viti. Për 5 vjet, ka munguar informacioni transparent mbi të ardhurat, shpenzimet, fitimet dhe humbjet e saj.
Në vitin 2018, “Air Albania” u prezantua si një projekt i suksesshëm nga qeveria Rama. Aksioneri kryesor, “Turkish Airlines”, me 49% të aksioneve, është kompania turko-shqiptare që ka publikuar bilancet e saj për 9-mujorin e vitit 2023.
Në dokumentin e publikuar nga “Turkish Airlines”, theksohet se “humbjet nga ‘Air Albania’ nuk bëhen të ditura pas vitit 2019 dhe rrjedhimisht ajo nuk është llogaritur në bilanc”. Kjo fshehje e informacionit financiar bie ndesh me standardet e transparencës në biznes.
Në një tabelë të dokumentit përcaktohen borxhet afatshkurtra të “Air Albania” deri në fund të shtatorit 2023, të cilat rezultojnë të jenë 33 milionë dollarë, rritje prej 7 milionë dollarësh krahasuar me borxhin total të vitit të kaluar.
Gjithashtu, dokumenti tregon transaksione financiare midis palëve pronare të “Air Albania” me vlerë 8 milionë dollarë për periudhën janar-shtator 2023. Ky mungesë e transparencës financiare ka nxitur spekulime dhe shqetësime rreth gjendjes së vërtetë financiare të kompanisë dhe përdorimit të parave publike.
Në versionin turk të bilancit, që supozohet të jetë kopje e atij anglisht, kompania “Turkish Airline” rezulton të ketë informacione mbi humbjet e “Air Albania”. Aty deklarohet se deri në shtator ka pësuar humbje me 9 mln lira turke, mbi 300 mijë dollarë. Përsëri nuk është e qartë nëse bëhet fjalë për 100% të kompanisë apo vetëm për pjesën që adminsitrohet nga turqit.
Qendra Kombëtare e Biznesit, ku është regjistruar “Air Albania”, herë pas here rikujton bizneset, sidomos ato të mëdha të dërgojnë pasqyrat financiare brenda afateve të caktuara, përndryshe do të ketë penalizime. Linja ajrore ka kaluar çdo afat ligjor të mundshëm, 5 vite dhe askush nuk ka reaguar për të.
Së fundmi, në QKB arriti një njoftim nga Përmbaruesit privatë, të cilët e njoftuan se po sekuestrojnë Air Albania, pasi ishte debitore ndaj shtetasit turk, Sinan Isik, ish-numri dy i kompanisë.
Panorama sa vjen e bëhet më e zymtë për “Air Albania”, e cila me sekuestron e vendosur do e ketë të pamundur të blihet apo shitet në një tjetër kompani, për të dalë nga borxhet ku është zhytur.
Qe ka dyshime qe pas fshehjes se bilanceve qendron pikerisht fshehja e shpenzimeve te avionit qe perdor Rama
Financat e Air Albania kanë qenë shpesh qendër e debateve publike, sidomos pasi kryeministri Edi Rama mori “hua” një avion, për udhëtime personale dhe jo vetëm. Opozita kërkoi ngritjen e një komisioni hetimor për këtë çështje, por sigurisht qeveria e pengoi atë.
Hakerat iranianë kanë zbuluar se kryeministri shqiptar ka udhëtuar 140 herë me charterin e pagëzuar me emrin Ismaili.
Opozita thotë se ka shpenzuar 22 mln euro, ndonëse ajo s’e ka marrë asnjëherë seriozisht këtë çështje.
Nga ana tjetër, Zoom.al ka provuar se një avion si i Ramës shpenzon 15 mijë USD në një orë fluturim. Ai është një avion luksoz me dhomë gjumi dhe me 12 anëtarë ekuipazhi, të cilin nuk e kanë as kryeministra të vendeve anëtare të BE.
Zoom.al ka kërkuar vazhdimisht nga institucionet shqiptare të tregojnë se sa para paguhen për udhëtimet luksoze të kryeministrit me avionin charter, por asnjë prej tyre nuk ka pranuar të japë të dhëna.
Ka dyshime se pas charterit të Ramës të qëndrojë kompania Air Albania, e cila, ndonëse është përmendur vazhdimisht për këtë çështje nuk e ka sqaruar asnjëherë pozicionin e saj.