1.5 C
Tiranë
Tuesday, November 26, 2024
spot_img

Meta gjen ‘fajtorin’ e krizës ekonomike: Po na çon në greminë

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka shprehur shqetësimin e tij për zhvillimet në ekonominë shqiptare, duke e quajtur atë “ekonominë e kullave” që po ndikon në shëndetin dhe jetën e qytetarëve. Në një deklaratë të bërë publike, Meta ka bërë një vlerësim të rëndësishëm të situatës ekonomike dhe sociale në vend.

Meta ka theksuar se politika e përqendrimit tek ndërtimi i kullave dhe pallateve nuk është e qëndrueshme, duke theksuar nevojën për një politikë më të përgjegjshme dhe efektive për tërheqjen e investimeve të huaja dhe vendase. Ai ka theksuar se ndërtimi i kullave po bëhet një mekanizëm për pastrimin e parave të pista, duke sjellë ndotje dhe situatë katastrofike të shëndetit në disa zona, veçanërisht në kryeqytet.

Gjithashtu, Meta ka shprehur shqetësimin e tij për uljen e nivelit të jetesës së qytetarëve dhe rritjen e varfërisë, duke e lidhur këtë me rënien e importeve, eksporteve dhe produktivitetit në industrinë vendase. Ai ka shtuar se rritja e çmimit të ushqimeve, karburantit, ilaçeve dhe shërbimeve tjera bëjnë jetesën e qytetarëve të papërballueshme.

Deklarata e Metës:

“Në vend të përqendrimit të investimeve vetëm tek ndërtimi, për kulla dhe pallate, duhet një politikë e përgjegjshme dhe efektive për tërheqjen e investimeve të huaja dhe vendase, që ndërtojnë sipërmarrje me peshë, fabrika dhe teknologji të reja, duke hapur vende të reja pune dhe garantuar një ekonomi të qëndrueshme.

Siç është konstatuar edhe nga raportet e institucioneve ndërkombëtare ndërtimi është kthyer sot në një mekanizëm për pastrimin e parave të pista, ashtu siç e shohim sot sidomos në Tiranë.

Ekonomia e kullave po kthehet në një vrasëse të shëndetit dhe jetës së qytetarëve, veçanërisht në kryeqytet, ku studimet dhe monitorimet tepër serioze vërtetojnë qartë situatën katastrofike të ndotjes në Tiranë, të paktën mbi 20 herë mbi normat e lejuara, duke rritur ndjeshëm sëmundshmërinë.

Ndërsa qytetet përmbyten nga kullat dhe betoni, çifteve të reja u duhen 50-70 vite kursime për të blerë një apartament në periferi.

Me çmimet e apartamenteve në qiell, jo që nuk mund të imagjinohet të blihet një shtëpi e re, por edhe qeraja e saj është bërë e papërballueshme për shumicën e qytetarëve dhe sidomos të çifteve të reja.

Bashkë me popullsinë që mpaket e plaket, po tkurret edhe ekonomia, duke tejkaluar madje edhe ritmet e periudhës së pandemisë.
Vetëm për shkak të “Rilindjes”, sot jemi vendi më i varfër në Europë, me pagat dhe pensionet më të ulëta edhe në rajonin tonë.

Por kemi edhe çmimet më të larta të ushqimeve, të karburantit, ilaçeve dhe shërbimit të arsimimit, të qirave të banesave, pra të kostove bazike të jetesës.

Siç kemi edhe taksat më të larta në rajon!

Treguesit ekonomikë gjatë vitit 2023 na prezantojnë një thellim të mëtejshëm të varfërisë së qytetarëve për shkak të një ekonomie, që po bëhet gjithmonë dhe më pak konkurruese dhe gjithmonë e më përjashtuese në aspektin social për shkak të polarizimit ekstrem.

Rënia e importeve të lëndëve të para dhe atyre ushqimore me rreth 8.2 % krahasuar me një vit më parë si dhe rënia e konsumit, provon uljen e kërkesës së ekonomisë dhe të konsumatorëve.

Gjatë vitit të kaluar eksportet gjithashtu shënuan rënie me 9.5% krahasuar me vitin 2022.

Rënia e eksporteve në 2023 është madje më e lartë edhe se në vitin 2020, kur prodhimi dhe shitjet u bllokuan për muaj me rradhë për shkak të pandemisë.

3000 vende pune janë mbyllur vetëm që nga 4 Janari 2024, një tjetër sinjal i fortë alarmi për veshin e shurdhër të Qeverisë.

Rënia e eksporteve dhe zhvlerësimi i qëllimshëm i Euros ka ndikuar direkt në uljen e nivelit të jetesës së qytetarëve.

Prodhimi i brendshëm ka rënë së bashku me eksportet, me rreth 10 % në 2023.

Goditje kanë marrë eksportuesit, veçanërisht ata fasonë, që u është ulur 10% e xhiros vjetore, që kanë mbyllur bizneset dhe mijëra vende pune.

Në tremujorin e tretë të 2023, industria u reduktua me 8.2%, rënia më e madhe që nga tremujori i dytë i vitit 2020 kur e gjithë bota u bllokua nga pandemia Covid-19, kjo ka sjellë pasoja zinxhir që nga ulja e punësimit, e pagave dhe eksporteve.

Të dhënat e Bankës Botërore tregojnë se rreth 60% e shqiptarëve janë në një situatë ekonomike tepër të vështirë dhe pranë rënies në varfëri.

Sipas NUMBEO, kosto e jetesës në Shqipëri është sot 27% më e lartë se në Kosovë dhe 17.5% më e lartë se në Maqedoninë e Veriut.

Ndërkohë që çmimet e ushqimeve ulen në tregjet botërore, në tregun vendas ato njohin vetëm rritje.

Ndërsa çmimet e importit për drithërat ranë 24%, çmimi i tyre në tregun e brendshëm u rrit me 10%

Ndërsa çmimi i importit për zarzavatet u ul me 10%, përkundrazi çmimet e zarzavateve në tregun e brendshëm u rritën me 17%.

Ndërsa çmimet e importit për bulmetin dhe vezët ranë me 12,2%, përkundrazi çmimet në tregun e brendsshëm u rritën me 22,6%.

Kjo tregon qartë që prodhimi vendas u dëmtua, ndërsa importi dominoi tregun në Shqipëri.

Inflacioni i produkteve ushqimore në vitin 2021 ishte 5.3%, në vitin 2022 ishte 18.3% dhe në vitin 2023 ishte 30%.

Buka dhe artikujt e drithrave u rritën 24.4%, mishi 21.1%, qumështi 36.3%, vaji 26.8%, frutat 31%, sheqeri 22.8% dhe perimet 43.1%.

Këtë rrjepje të konsumatorit vendas e vërteton edhe krahasimi me vendet e tjera të rajonit.”, deklaroi Meta.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT