Me paraardhësin e saj Ilir Beqajn në pranga, drejtuesja aktuale e SASPAC Jona Suli u përball me pyetje të ashpra nga deputetët në Komisionin për Integrimin, lidhur me masat e marra për të parandaluar shpërdorimin e fondeve të Bashkimi Evropian (BE), pas hetimeve që zbuluan abuzime gjatë drejtimit të ish-ministrit të Shëndetësisë.
Deputetja Jorida Tabaku pyeti Sulin: “Çfarë masash po merren që ne të jemi të sigurt që fondet që miraton ky parlament nuk do të jenë pjesë e abuzimeve skemave korruptive?”
Në përgjigje, Suli tha: “Ajo është një çështje në hetim, duhet të presim.”
Tabaku insistoi: “Po çfarë masash keni marrë ju?”
Suli u përgjigj se “masat do të merren në përfundim të hetimeve, nëse ka nevojë që strukturat të ndryshojnë sepse ne funksionojmë në bazë të rregullave të Bashkimi Evropian.”
Deputetja Etilda Gjonaj kërkoi detaje për masat e marra nga drejtorisë së SASPAC për të garantuar që keqmenaxhimi i fondeve të mos ndodhë më. Suli përgjigji se “po përgatisim një instrument vlerësimi drejt treguesve sasiorë për projektet,” dhe se janë duke krijuar një web të agjencisë në bashkëpunim me delegacionin e BE për të garantuar transparencë.
Opozita e kritikoi situatën, duke e konsideruar shpërdorimin e fondeve të BE një njollë turpi që kërkon masa të menjëhershme. Kreshnik Çollaku shprehu mungesë besimi nga BE, ndërsa Etjen Xhafaj dhe Tabaku theksuan se ky rast është një problem për institucionin dhe Shqipërinë në tërësi, duke kërkuar që fondet të shkojnë në projektet që prodhojnë ekonomi dhe ndihmojnë bashkitë e vogla, jo vetëm ato të mëdha.
Pranvera Resulaj kërkoi që fondet të orientohen në projekte që prodhojnë ekonomi të shtuar dhe të ndihmojnë bashkitë që kanë më shumë nevojë. Suli sqaroi se ndarja e projekteve bëhet nga sekretariate të ndryshme për çdo program dhe se SASPAC ndihmon bashkitë për të shkruar projektet në përputhje me kritere të përcaktuara.
Fondi IPA është mekanizmi kryesor i mbështetjes financiare që BE jep për vendet para-anëtarësimit. Shqipëria ka marrë nga IPA II 553 milionë euro për periudhën 2014-2020 dhe nga IPA III, që ende vijon, janë marrë deri tani 424 milionë euro për projekte dhe investime të ndryshme për zhvillimin socio-ekonomik.