Një 26-vjeçar shqiptar dhe një 22-vjeçare nga Firence u arrestuan mbrëmjen e së enjtes nga policia italiane, pas një operacioni që kishte në shënjestër krimet e lidhura me drogën. Të dy të rinjtë janë akuzuar për posedim të paligjshëm të lëndës narkotike.
Operacioni nisi kur efektivët e policisë ndaluan të riun shqiptar, tashmë të njohur për autoritetet, teksa po merrte një dërgesë ushqimesh. Gjatë kontrollit, 26-vjeçari reagoi me dhunë, duke sulmuar policët me bërryla, por ata arritën ta neutralizojnë dhe ta vënë nën kontroll.
Pas kësaj, policia shkoi në banesën e tij, ku ndodhej edhe shoqja e tij 22-vjeçare. Gjatë kontrollit të shtëpisë, në dhomën e gjumit dhe dhomën e ndenjes, u gjetën mbi 7 kilogramë drogë, përfshirë hashash, kokainë dhe marihuanë. Gjithashtu, policia sekuestroi një peshore precize dhe një makinë për paketim vakum, të përdorura për paketimin e dozave të drogës për shitje.
Të dy të rinjtë u arrestuan. 26-vjeçari u dërgua në burgun Sollicciano të Firences, ndërsa 22-vjeçarja, e cila nuk kishte precedentë penalë, u vendos nën masën e sigurisë arrest shtëpie. Përveç akuzave për posedim të lëndës narkotike, 26-vjeçari do të përballet edhe me akuzat për kundërshtimin dhe sulmin ndaj një zyrtari publik.