Kryeministri Edi Rama është rikthyer në çështjen e hapjes së negociatave për grup-kapitullin e parë të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Gjatë një interviste në Podcastin “Flasim”, kreu i qeverisë foli për synimet e vendit drejt anëtarësimit në BE, ndërsa theksoi se që prej fillimit objektivi i tij ka qenë arritja e integrimit deri në vitin 2030. Ai gjithashtu iu përgjigj kritikave që sugjerojnë se Shqipëria nuk ka bërë progres në këtë rrugëtim.
Rama tha se procesi i integrimit ka dy korsi: njëra që përfshin përditshmërinë e reformave dhe masave teknike, dhe tjetra që lidhet me politikën europiane. Duke theksuar vullnetin e qeverisë për të vijuar me reformat, ai shtoi se pavarësisht herëve kur politika e BE-së ka mbyllur derën, Shqipëria ka vazhduar të përmbushë detyrat e saj për t’u bërë gati kur të vijë momenti i përshtatshëm politik.
Rama veçoi kapitullin e gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit, duke e quajtur këtë një prej reformave më të rëndësishme të qeverisë së tij. Ai përmendi ngritjen e institucioneve si SPAK dhe GJKKO, që kanë sjellë hetime dhe akuza për persona të lidhur me pushtetin politik, si një arritje historike për vendin.
“Për herë të parë që nga 1912, kemi persona të lidhur me pushtetin politik, që janë hetuar, akuzuar apo dënuar nga gjykata të pavarura nga pushteti politik. Kjo është dëshmi se kemi bërë progres,” u shpreh kryeministri.
Rama shtoi se qeveria ka përgjegjësinë të sigurojë pavarësinë e gjyqësorit dhe të mbështesë përmes Kuvendit fuqizimin e tij, përmes reformave dhe masave konkrete. Ai nënvizoi se ky proces nuk ka për qëllim vetëm të bindë Brukselin, por të ndërtojë një shtet demokratik dhe të qëndrueshëm në Shqipëri, sipas standardeve të BE-së.
Gjatë intervistës, Rama gjithashtu argumentoi se Shqipëria nuk ka rrugë tjetër përveç integrimit në BE, pasi vetëm brenda kësaj hapësire mund të garantohet liria individuale, rendi ligjor dhe demokracia funksionale.
“Bashkimi Europian është e vetmja hapësirë ku mund të garantohen brezat e ardhshëm me liri individuale dhe rend ligjor. Në asnjë drejtim tjetër nuk ka garanci për liritë dhe të drejtat tona,” theksoi ai.
E ftuar në podcast, ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, theksoi se procesi i integrimit është i pakthyeshëm dhe se lufta kundër korrupsionit nuk i përket vetëm gjyqësorit, por edhe mekanizmave që janë ngritur nga qeveria.
“Ky proces është i pakthyeshëm. Lupa e Komisionit Europian është e rreptë, por ne jemi duke ecur në drejtimin e duhur,” tha ministrja.
Rama dhe Pirdeni vlerësuan reformën në drejtësi si një prej avantazheve më të mëdha që Shqipëria ka sot në këtë proces, duke e quajtur një detyrë të përmbushur që ndihmon në rrugën e integrimit.
Në fund, me një batutë, kryeministri Rama tha: “Jemi ulur në tryezë dhe po negociojmë kushtet e martesës, por që do të martohemi, kjo është e sigurt.”
Shqipëria çeli më 15 tetor 2024 negociatat për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Europian, gjatë një konference ndërqeveritare në Luksemburg, ku përfaqësuesit e BE-së bënë thirrje për përshpejtimin e procesit.