Afera CEZ-DIA përfshin një skemë të gjerë korrupsioni dhe përfitime të paligjshme që lidh ish-presidentin Ilir Meta dhe bashkëpunëtorët e tij me kompaninë “Debt Internacional Advisory” (DIA), e drejtuar nga Kastriot Ismailaj. Sipas Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Meta kishte një objektiv për të përfituar 10 milionë euro nga kjo aferë, bazuar në dëshmitë e Elvis Matajt, një ish-bashkëpunëtor i ngushtë i Metës. Mataj është një ndër personat kyç për zbardhjen e kësaj afere, duke pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë.
Hetimet e SPAK për këtë çështje përfshijnë dhjetëra dëshmi dhe konsultime me autoritete ligjzbatuese nga vende evropiane dhe më gjerë. Historia e aferës fillon me krijimin e kompanisë DIA nga Kastriot Ismailaj, një kompani offshore e regjistruar në “Virgin Island” më 5 korrik 2010, me degën në Shqipëri të hapur më 4 gusht të po atij viti. Vetëm një muaj më vonë, më 1 shtator 2010, u nënshkrua një marrëveshje mes DIA dhe bordit të CEZ, të përfaqësuar nga Josep Hejsek, me ndihmën e drejtpërdrejtë të Ilir Metës, i cili sugjeronte Ismailajn si përfaqësues të DIA-s.
SPAK tregon se gjatë periudhës së krijimit të DIA dhe diskutimit për marrëveshjen, Meta dhe Ismailaj kanë komunikuar 115 herë përmes telefonatave ose mesazheve, vetëm brenda një periudhe pesë mujore. Marrëveshja e lidhur më 1 shtator mes DIA dhe bordit të CEZ nuk u miratua nga Këshilli Mbikqyrës i CEZ më 25 nëntor 2010, por DIA mori gjithsesi një pagesë prej 1 milion eurosh atë ditë dhe një pagesë shtesë prej 485 mijë euro pak më vonë, e justifikuar për “identifikimin e debitorëve”. SPAK e konsideron këtë një justifikim të rremë.
Edhe pse marrëveshja nuk u miratua zyrtarisht, DIA lëshoi fatura fiktive për punë të papaguar në vlerë prej 700 mijë euro. Disa prej përfituesve të këtyre faturave ishin kompani që lidhen me Ilir Metën, përfshirë NEREIDA-n, një kompani e drejtuar nga babai i Arjan Laçit, një mik i hershëm i Metës dhe bashkëthemelues i DIA-s. Arjan Laçi përfitoi 320 mijë euro, ndërsa më pas rezultoi të ishte financues i Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI). Një tjetër përfitues ishte kompania BTT, me ortak të vetëm Shpëtim Shehun, e cila përfitoi rreth 170 mijë euro nga DIA. Hetimi provoi se përfituesi fundor i kësaj shume ishte shoqëria “Xhenis” sh.p.k., në pronësi të Agron Çelës, ish-deputet i LSI.
SPAK thekson se Ilir Meta jo vetëm që sugjeroi Kastriot Ismailajn si personin që do të lidhte kontratën me CEZ për përfitime milionëshe, por edhe e bëri pjesë të mbledhjeve të Këshillit Mbikqyrës të CEZ-DIA dhe të Këshillit Mbikëqyrës të OSHE, edhe pse ligjërisht nuk i takonte të ishte i pranishëm. Përfaqësuesi i shtetit shqiptar në këtë institucion, Ilir Ciko, në dëshminë e tij, shprehet se nuk e kuptonte arsyen e pranisë së Ismailajt në mbledhje.
Për të vërtetuar lidhjet mes Ismailajt dhe Metës, SPAK ka pyetur shumë dëshmitarë. Një ndër dëshmitë më të forta vjen nga gruaja e Kastriot Ismailajt, e cila deklaroi se Meta ushtronte presion ndaj bashkëshortit të saj për para, veçanërisht gjatë fushatave elektorale. Në një rast, Meta i kërkoi Ismailajt 300 mijë euro për këtë qëllim.
Në dosjen hetimore, Ilir Meta pyetet nëse ka udhëtuar ndonjëherë me Kastriot Ismailajn jashtë Shqipërisë, dhe ai e mohon kategorikisht. Megjithatë, hetimet zbulojnë se Meta ka marrë pjesë në mbledhjet e CEZ në Pragë dhe shpesh e prezantonte Ismailajn si një vëlla. Kjo marrëdhënie shqetësonte edhe çekët e CEZ, të cilët shprehen se e konsideronin Ismailajn të rrezikshëm, por ruanin marrëdhënie me të pasi ai ishte njeri i besuar i Ilir Metës.
Afera CEZ-DIA është vetëm një prej episodeve në të cilat Ilir Meta është përfshirë. Tashmë ai është arrestuar dhe përballet me akuza të rënda për “korrupsion”, “pastrim parash” dhe “fshehje e mosdeklarim të pasurisë”, për të cilat rrezikon një dënim nga 7 deri në 15 vjet burg.
Dosja e vendimit të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) që firmosi urdhërarrestin për Metën përbëhet nga 167 faqe, ndërsa hetimi është udhëhequr nga prokurorët Sotir Kllapi, Arben Kraja dhe Altin Dumani. Ndërkohë, në hetim janë gjithashtu Monika Kryemadhi, babai i Erisa Xhixhos, ish-kreu i AKEP, dhe Ema Çoku, bashkëpunëtore e Kryemadhit.