Tiranë – Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka paralajmëruar një përshkallëzim të aksionit politik kundër kryeministrit Edi Rama, duke folur për një fazë të re dhe më intensive të përballjes.
I ftuar në një studio televizive, Lapaj deklaroi se ekziston një plan konkret, por nuk mund të bëhet publik në detaje, duke theksuar se kjo është vetëm faza e parë e një qëndrese më të gjerë opozitare.
“Përballja me Ramën do të jetë me shumë dimensione dhe do të jetë një periudhë intensive”, u shpreh ai, duke shtuar se aksioni do të zgjerohet në vijim.
Duke folur për një skenar të mundshëm nëse do të ishte në pushtet, Lapaj theksoi se prioritet do të ishte një audit i thelluar financiar i shtetit, përmes kompanive ndërkombëtare, si dhe pezullimi i marrëdhënieve koncesionare. Sipas tij, vendi ka nevojë për riorganizim të konkurrencës dhe transparencës ekonomike.
Ai kritikoi ashpër qeverisjen aktuale, duke e cilësuar Ramën si “humbësin më të madh” dhe duke ngritur shqetësime për administratën dhe mungesën e projekteve madhore në vend.
Në intervistë, Lapaj përmendi edhe frymëzimin nga Winston Churchill, duke vlerësuar modelin e tij të tranzicionit të pushtetit dhe vizionin për brezat e ardhshëm.
Në përfundim, ai theksoi se forca që përfaqëson synon të testohet në qeverisje: “Ditën kur të provohemi në pushtet, atëherë hajde flasim.”





