Një telefonatë urgjente ka ngritur alarmin në Policinë e Tiranës, pas raportimeve për një person që ishte dhunuar dhe marrë me forcë nga disa individë në zonën e ish-Doganës.
Ngjarja u raportua nga një qytetar që informoi sallën operative për një skenë të dyshimtë që ngjante me një rrëmbim të mundshëm. Menjëherë, forcat e policisë u nisën drejt vendit të ngjarjes për të verifikuar situatën.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se, pas verifikimeve të para, rezultoi se bëhej fjalë për një grup të rinjsh, të cilët ishin në gjendje të dehur pasi kishin dalë nga një lokal nate. Njëri prej tyre refuzonte të largohej, gjë që solli një konflikt verbal dhe fizik mes miqve.
Për të shmangur incidente të mëtejshme, të rinjtë tentuan ta fusin me forcë në makinë për ta çuar në shtëpi. Kjo skenë u interpretua si rrëmbim nga kalimtarë të rastit, të cilët njoftuan menjëherë policinë.
Ngjarja tashmë është sqaruar nga autoritetet si një incident që lidhet me konsum të lartë alkooli, dhe nuk ka pasur elementë të veprës penale të rrëmbimit apo dhunës së organizuar. Policia ka bërë apel për kujdes dhe vetëpërmbajtje, sidomos në mjedise argëtimi, për të shmangur situata të tilla.






