Hamptons, SHBA – 15 qershor 2025 – Në një fundjavë të mbushur me tensione brenda dhe jashtë SHBA-së, Alex Soros – djali i filantropit miliarder George Soros – dhe Huma Abedin, ish-këshilltarja e ngushtë e Hillary Clinton, i dhanë fund beqarisë me një dasmë madhështore në Hamptons, që mblodhi së bashku elitën politike dhe kulturore të Amerikës.
Në listën e të ftuarve spikatën emra të nivelit të lartë si Hillary dhe Bill Clinton, nënpresidentja Kamala Harris me bashkëshortin Doug Emhoff, senatori demokrat Chuck Schumer, ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, dhe drejtoresha legjendare e “Vogue”, Anna Wintour. Të pranishëm ishin gjithashtu ylli i jetës mondane Nicky Hilton Rothschild dhe figura të tjera të afërta me çiftin dhe familjen Clinton.
Befasi në listën e të ftuarve ishte kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili jo vetëm mori pjesë në ceremoni, por edhe mbajti një fjalim urimi mes disa personaliteteve të përzgjedhura, përkrah Hillary Clinton, Anna Wintour dhe vëllait të dhëndrit, Jonathan Soros.
Ceremonia u zhvillua me një shkëlqim të rezervuar për evente të rralla, në një ambient privat të Hamptons, në prani të miqve të ngushtë dhe figurave kyçe të politikës amerikane, duke e kthyer festën në një ngjarje të denjë për faqet e para të medieve të New Yorkut dhe Washingtonit.
Por ndryshe nga atmosfera festive në Hamptons, fundjava në pjesën tjetër të Amerikës ishte më e zymtë. Protesta kundër presidentit Trump shpërthyen në qytete të shumta, ndërkohë që ai organizonte një paradë ushtarake të diskutueshme në Uashington. Sakaq, një ligjvënës nga Minnesota u vra në një akt të dhunshëm që u përshkrua si politikisht i motivuar, ndërsa përplasjet në rritje mes Izraelit dhe Iranit po e çojnë Lindjen e Mesme në prag të një konflikti të ri.
Në këtë sfond të tensionuar global dhe kombëtar, dasma e Soros dhe Abedin shkëlqeu si një moment i rrallë gëzimi dhe uniteti – të paktën për një natë – midis disa prej figurave më të rëndësishme të botës perëndimore.






