Viktimat civile nga bombardimet ruse në Ukrainë janë rritur me 26% gjatë vitit 2025, sipas të dhënave të publikuara nga Action on Armed Violence (AOAV), organizatë që monitoron konfliktet në nivel global.
Raporti evidenton se gjatë vitit të kaluar janë vrarë 2.248 civilë dhe janë plagosur 12.493 të tjerë. Mesatarisht, 4.8 civilë janë vrarë ose plagosur në çdo sulm – një rritje prej 33% krahasuar me vitin 2024.
Sulmi më i rëndë në Dnipro
Sipas analizës, një nga episodet më të rënda u regjistrua më 24 qershor në Dnipro. Raketat ruse goditën një tren pasagjerësh, ndërtesa banimi dhe shkolla. Si pasojë humbën jetën 21 persona dhe u plagosën 314 të tjerë, mes tyre 38 fëmijë.
AOAV thekson se sulmet me raketa dhe dronë kanë ndodhur pothuajse çdo natë gjatë vitit 2025 dhe kanë vijuar edhe në 2026-ën, duke shkaktuar ndërprerje masive të energjisë elektrike, ngrohjes dhe furnizimit me ujë për miliona qytetarë.
Më 9 shtator u regjistrua një nga sulmet më të mëdha ajrore, me 805 dronë dhe 13 raketa të lëshuara drejt territorit ukrainas.
Drejtori i organizatës, Iain Overton, paralajmëroi për normalizimin e dhunës ndaj civilëve. “Kur pandëshkueshmëria normalizohet, krimet e luftës pushojnë së qeni përjashtime dhe kthehen në metodë lufte”, u shpreh ai.
Raporti nënvizon përshkallëzimin e rrezikut për popullsinë civile dhe kërkon rritje të presionit ndërkombëtar për mbrojtjen e civilëve në konflikt.






