Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm ka dënuar me 35 vite burg Azgan Mërnicën, i akuzuar për vrasjen e efektivit të forcave “Shqiponja”, Novruz Cenalia, ngjarje e ndodhur më 13 maj 2024 në fshatin Baltëz të Fierit.
Më herët, Gjykata e Fierit e kishte dënuar Mërnicën me burgim të përjetshëm, ndërsa Apeli ka ndryshuar vendimin duke e zbritur në 35 vite heqje lirie.
Sipas dosjes hetimore, konflikti ka nisur pas një incidenti në rrugë, kur i pandehuri dyshohet se ka drejtuar automjetin me shpejtësi të lartë dhe është futur në kthesë në mënyrë të parregullt. Pas ndërhyrjes së policit, situata ka agravuar dhe Mërnica ka zbritur nga automjeti, duke përdorur armë zjarri që e mbante me vete pa leje.
Prokuroria e ka akuzuar për “vrasje të punonjësit të Policisë së Shtetit”, “armëmbajtje pa leje” dhe “drejtim automjeti në mënyrë të parregullt”.
Efektivi Novruz Cenalia, 28 vjeç, prej tre vitesh shërbente në forcat “Shqiponja” dhe humbi jetën në vendngjarje.
I pandehuri u vetëdorëzua pas 48 orësh në arrati, pas negociatave me familjarët, ndërsa qëndrimet e tij gjatë arrestimit dhe hetimeve shkaktuan reagim të gjerë publik.






