2.5 C
Tiranë
Sunday, November 24, 2024
spot_img

Arian Lleshi flet për dhunën dhe protestën kundër Kryeministrit Rama: “Kërkesa për votë është veprim i pacipë”

Arian Lleshi, aktivist shqiptar që jeton në Britaninë e Madhe, ka dhënë një intervistë televizive ku ka shpërthyer ndaj kërkesës së kryeministrit Edi Rama për votën e diasporës, duke e cilësuar këtë veprim si një akt të pacipë. Sipas Lleshit, Rama është shkaktari kryesor i largimit të qytetarëve shqiptarë nga vendi, dhe ai e ka kritikuar ashpër për përpjekjen për të marrë mbështetje nga ata që ai i ka detyruar të ikin.

Lleshi ka treguar gjithashtu se së bashku me disa miq dhe njerëz të pakënaqur, që janë larguar nga Shqipëria për shkak të qeverisjes së Ramës, ata shkuan në takimin e organizuar nga kryeministri për të shprehur revoltën e tyre. Por, siç ka pohuar ai, ata u përballën me dhunë fizike nga patronazhistët dhe mbështetësit e Ramës.

“Bashkë me disa miq dhe njerëz të pakënaqur dhe larguar prej vendit për shkak të qeverisjes së Ramës, u futëm në event dhe dhamë mesazhin tonë që Rama nuk është i mirëpritur këtu. Ai është shkaktari i largimit masiv prej më shumë se 10 vitesh. Ka mbi 500 mijë shqiptarë azilkërkues të dokumentuar në BE.

Të vijë kryeministri që na ka larguar të na kërkojë votën, nuk e di sa cipë i duhet të mos ketë,” ka thënë Lleshi.

Ai ka shpjeguar se ata që shprehin revoltën janë thjesht qytetarë të pakënaqur që kërkojnë të shprehin mendimin e tyre dhe të protestojnë kundër politikave të Ramës. Lleshi ka theksuar se, ndërkohë që shumë bashkatdhetarë kanë mbetur relativisht neutralë, ata që janë të lidhur ngushtë me patronazhin dhe pushtetin e Ramës kanë reaguar me dhunë, duke i sulmuar fizikisht. Ai ka përmendur një incident ku një grup tjetër protestues është rrahur brutalisht dhe ka bërë të ditur se grupi i tij gjithashtu ka përjetuar dhunë fizike.

“Grushte në kokë, ndaj meje dhe të tjerëve që po protestonin me mua. Benjaminët e Ramës janë edhe më ramistë se Rama vetë,” ka shtuar Lleshi.

Aktivisti shqiptar ka denoncuar dhunën në rrjetet sociale, duke kërkuar që kjo të publikohet dhe të jetë në dijeni të publikut. Ai ka theksuar se komuniteti shqiptar në Britani është i madh, rreth 200 mijë njerëz, dhe se, megjithatë, ende nuk ka nisur regjistrimi për votim.

Përsa i përket pjesëmarrjes së diasporës në zgjedhjet e ardhshme, Lleshi është i bindur se do të jetë mbresëlënëse dhe e fuqishme. Sipas tij, diaspora shqiptare nuk mund të jetë thjesht një mjet për të përfituar nga administrata, pasi shumë shqiptarë janë larguar për shkak të gabimeve të qeverisjes dhe kanë drejtë të votojnë për të ndryshuar situatën.

“Pjesëmarrja e diasporës në votime do të jetë mbresëlënëse. Në diasporë nuk mund të thuash që të kam në administratë, dhe mund të të heq,” ka përfunduar ai.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT