Partia Demokratike ka reaguar sërish në lidhje me arrestimin e dy punonjësve të policisë së Elbasanit, për vrasjen e biznesmenit Pjerin Xhuvani pak para zgjedhjeve të 25 prillit.
Në një dalje për mediat, deputetja e PD-së, njëherësh zëdhënëse e grupit parlamentar, Orjola Pampuri theksoi se arrestimi i kupolës drejtuese të Policisë së Elbasanit është provë e qartë se policia dhe e gjithë makineria shtetërore janë në dispozicion të Ramës. Sipas Pampurit, institucionet e reja të drejtësisë duhet të hetojnë gjithë skemën kriminale të vjedhjes dhe blerjes së votave në të gjithë Shqipërinë.
DEKLARATA E PARTISË DEMOKRATIKE
Arrestimi i kupolës së Policisë së Shtetit në Elbasan për ngjarjen e ndodhur pak ditë përpara zgjedhjeve të 25 Prillit, tregon qartë se jo vetëm atje, por në të gjithë Shqipërinë, policia dhe e gjithë makineria shtetërore kanë qenë në dispozicion të vjedhjes së votave për llogari të Edi Ramës.
Bandat e Elbasanit, sikundër bandat në të gjithë Shqipërinë, kanë qenë në bashkëpunim të hapur dhe të fshehtë me segmente të policisë dhe të shtetit për ti siguruar Edi Ramës me çdo çmim mandatin e tretë.
Nëse do hetohet seriozisht siç tregon të paktën deri më tani rasti i Elbasanit, do dalë qartë se përfaqësuesit e Partisë Socialiste kanë qenë të angazhuar në blerjen e votës dhe intimidin e votuesve. E gjitha kjo me ndihmën e Policisë apo nën hundën e saj.
PD ka denoncuar gjatë dhe pas procesit të 25 prillit përfshirjen e strukturave shtetërore dhe të krimit të organizuar në vjedhjen e votës. Deformimi i vullnetit të lirë të shqiptarëve në 25 prillin e vitit te kaluar, është dëshmuar nga PD me fakte dhe sot, kur vetëm një pjesë e vogël ka nisur të hetohet, duket qartë implikimi i qeverisë në këtë proces.
Ne inkurajojmë Prokurorinë të hetojë shkaqet e gjunjëzimit të Policisë së Shtetit përpara Bandës së Elbasanit.
Ky është vetëm fillimi i punës që duhet të thellohet më tej dhe në qarqet e tjera ku denoncimet tona kanë qenë prezente gjatë fushatës se zgjedhjeve të shkuara parlamentare. Shkodra, Dibra, Tirana, Fieri dhe e gjithë Shqipëria, kanë qenë nën terrorin e bandave të veshura me pushtet. Me qëllimin e vetëm: blerjen e votës.
Është në nderin e prokurorisë dhe institucioneve të reja të drejtësisë të vijojnë punë për zbardhjen e të gjithë ngjarjeve që çuan në defomrimimin e vullnetit të shqiptarëve.