Policia e Kosovës ka arrestuar të premten, më 12 shtator, një shtetas kosovar të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë konfliktit të viteve 1998-1999.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë, i ndaluari akuzohet se ka marrë pjesë në masakrën e 22 majit 1999 në Vushtrri, ku u ekzekutuan 71 civilë shqiptarë. Hetimet tregojnë se ai veproi në grup dhe në mënyrë të organizuar si pjesëtar i mobilizuar në njësitë e MUP-it serb (Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë).
“I dyshuari ka marrë pjesë drejtpërdrejt në privimin nga jeta të 71 civilëve shqiptarë në komunën e Vushtrrisë,” – thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje. Mediat serbe kanë raportuar se personi jetonte në veri të Kosovës dhe punonte si shofer autobusi.
Ky arrestim vjen vetëm një muaj pasi Prokuroria e Kosovës dorëzoi në gjykatë një aktakuzë në mungesë kundër 21 të dyshuarve, të akuzuar për dëbimin me forcë të mbi 800 mijë shqiptarëve gjatë luftës.
Konteksti
Nga përfundimi i luftës deri më sot, dhjetëra persona janë dënuar për krime lufte nga gjykatat vendore dhe ndërkombëtare.
• Nga 2000 deri më 2008, hetimet i zhvilloi UNMIK-u.
• Nga 2008 deri më 2018, çështjet i trajtoi EULEX-i, para se t’i dorëzonte në Prokurorinë e Kosovës.
Gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë u vranë mbi 13 mijë civilë, shumica shqiptarë, ndërsa rreth 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të zhdukur.






