Një 29-vjeçar shqiptar u arrestua në kufirin e Ventimiglias në Itali, si pjesë e një operacioni të Guardia di Finanza që çoi në shkatërrimin e një rrjeti të madh trafikimi kokaine.
I kapur në një “Porsche Cayenne”, shqiptari dyshohet të ketë qenë kreu italian i organizatës kriminale, e cila gjatë viteve shiti dhjetëra kilogramë kokainë ultra të pastër.
Edison Brahim Muco, aktualisht në burgun e Sanremos, do të kthehet në gjykatë në maj për një proces të përshpejtuar, me një seancë paraprake në distancë. Ai është ndihmuar nga avokatja Daniela Paccoi. Sipas hetimeve, Muco ishte pjesë e një grupi me të paktën dy bashkëpunëtorë shqiptarë të tjerë, të cilët janë ende në kërkim dhe luajtën role kyçe në konspiracionin kriminal.
Përveç shitjes së drogës, Muco dyshohet të ketë poseduar armë. Gjatë operacionit, oficerët e Guardia di Finanza gjetën mbi 65 kilogramë kokainë në tavanin e rremë të një picerie në Foligno, në pronësi të një vendasi të arrestuar gjithashtu.
Ky arrest vjen si rezultat i një hetimi të gjerë të policisë italiane, i cili ka shkatërruar një pjesë të rëndësishme të tregut të kokainës në rajon.






