Beqir Selamaj, i njohur edhe si “Murati”, është arrestuar nga Policia e Vlorës pas akuzave për vendosjen e tritolit në lokalin “The Boss” në Lungomare, pronë e nënës së Bledar Birçajt, i cili u ekzekutua në vitin 2021. I arrestuari ka pranuar se ai është autori i vendosjes së tritolit, por ka refuzuar të zbulojë emrat e atyre që e kanë urdhëruar të kryejë këtë akt. Gjatë dy ditëve të kaluara në ambientet e Policisë së Vlorës, Selamaj është intervistuar në prani të kreut të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, Drejtorit të Policisë së Vlorës dhe prokurorit të çështjes, me shpresën për ta detyruar atë të flasë, por ai ka mbajtur qëndrim të heshtur për personat që e kanë paguar për këtë akt.
Sipas dosjes së prokurorisë, Selamaj është identifikuar si autor i vendosjes së tritolit përmes një hetimi të detajuar dhe analizës së kamerave të sigurisë në qytetin e Vlorës. Nëpërmjet pamjeve filmike është mundur të verifikohet se 28-vjeçari ka dalë nga shtëpia e tij i veshur me rroba të zeza dhe me biçikletë, ka drekuar për të vendosur sasinë e tritolit në lokalin që ndodhet në Lungomare dhe ka ikur me biçikletë, duke hequr rrobat dhe duke u zhvendosur në një zonë tjetër të qytetit.
Ngjarja e ndodhur në 8 dhjetor 2022, në orën 05:50 të mëngjesit, ka sjellë vetëm dëme materiale dhe nuk ka shkaktuar viktima. Lokali ishte në pronësi të familjes së Bledar Birçajt, viktimë e ekzekutimit me breshëri plumbash në 10 maj 2021 në makinën e tij në lagjen “Hajro Çakërri” në Vlorë. Lokali, që funksiononte si bar, restorant dhe piceri, ishte dhënë me qira më parë, por ishte rimarrë së fundmi nga pronarët, vëllezërit e viktimës së ekzekutuar.
Policia ka analizuar me përpikmëri të gjitha informacionet dhe ka kërkuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Selamaj, ndërkohë që hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë akt të dhunshëm.