Një avion ushtarak spanjoll që transportonte ministren e , Margarita Robles, ka përjetuar një defekt të sistemit GPS gjatë fluturimit mbi enklavën ruse të Kaliningradit, të mërkurën në mëngjes.
Sipas ministrisë spanjolle të Mbrojtjes, incidenti ndodhi ndërsa avioni Airbus A330 ishte në rrugë drejt Lituanisë, ku Robles do të vizitonte bazën ajrore Siauliai, pjesë e misionit të NATO-s për policimin ajror të hapësirës baltike. Në bord ndodheshin gjithashtu të afërm të ushtarëve spanjollë të dislokuar në mision dhe një grup gazetarësh.
Sipas raportimeve të gazetës El Mundo, përpjekja e dukshme për të bllokuar GPS-in nuk ndikoi në sigurinë e udhëtimit, pasi avioni ishte i pajisur edhe me sinjal nga satelitë ushtarakë.
Ky nuk është një rast i izoluar. Që prej nisjes së luftës në Ukrainë në vitin 2022, dhjetëra incidente të ngjashme janë regjistruar mbi hapësirën ajrore europiane. Estonia, Finlanda, Letonia dhe Lituania kanë paralajmëruar se Rusia po përdor ndërhyrje elektronike masive për të prishur komunikimet e avionëve civilë dhe ushtarakë, si edhe të anijeve dhe dronëve.
Moskë zyrtare ka pretenduar se këto bllokime janë “masa mbrojtëse” për të parandaluar sulmet me dronë ukrainas mbi qytetet dhe infrastrukturën ushtarake. Por zyrtarët baltikë thonë se intensiteti i ndërhyrjeve është rritur ndjeshëm, duke shkaktuar pasoja edhe përtej kufijve rusë.






