TIRANË – Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka ironizuar opozitën gjatë seancës parlamentare mbi kërkesat e tyre për mocion me debat, më të fundit atë për mungesën e ligjit të minimumit jetik në projektbuxhetin e vitit 2026.
Balla iu drejtua deputetëve opozitarë duke theksuar se disa nuk “kuptojnë shqip”. Ai komentoi veçanërisht fjalët e deputetes Jorida Tabaku për pensionet, duke thënë:
“Të gënjesh pa tu dridhur buza e qerpiku është kurajo e madhe.”
Kreu i grupit parlamentar socialist garantoi se buxheti i vitit 2026 përfshin rritjen më të madhe të pensioneve në historinë e vendit. Ai shtoi se:
“Po ne jemi këtu për të miratuar ngritjen më të madhe të pensioneve të këtij vendi. Ti s’ke për të marrë vesh ndonjëherë (i drejtohet Boçit), me këtë reformë të re, garantojmë ngritje progresive nga 2026-2030.”
Balla kritikoi gjithashtu opozitën për përdorimin e kohës në mocione, duke thënë se shumica ka bërë mbi 40 orë debat në dy muaj, ndërsa opozita vetëm 23 orë. Ai theksoi:
“Asnjë shpjegim tjetër se si përmes kësaj gare keni kërkuar mocione me debat më shumë se në 4 vite 2021-2025.”
Në fund, Balla i kujtoi opozitës se kërkesat e tyre trajtohen gjithmonë në përputhje me Kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit:
“Nga ana jonë keni dakordësinë e plotë të miratojmë çdo kërkesë që vjen nëse është në përputhje me kushtetutën dhe rregulloren.”






