Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, zhvilloi takime të rëndësishme në Athinë me Sekretarin amerikan të Energjisë, Chris Wright, dhe Sekretarin amerikan të Punëve të Brendshme, Doug Burgum, në kuadër të Samitit të Partneritetit për Bashkëpunim Transatlantik në Energji (P-TEC).
Samiti, i organizuar nga Departamenti Amerikan i Energjisë në bashkëpunim me Qeverinë Greke dhe Qendrën Globale të Energjisë pranë Këshillit Atlantik, mblodhi në kryeqytetin grek ministra, ekspertë dhe përfaqësues të lartë politikë nga Europa Qendrore e Lindore për të diskutuar mbi sigurinë dhe tranzicionin energjetik.
Në një video-mesazh nga Athina, Balluku theksoi se “bashkëpunimi transatlantik është kyç për të garantuar një të ardhme të qëndrueshme dhe të sigurt energjetike për Europën”, duke vlerësuar mesazhin e Sekretarit amerikan Wright si “një vizion frymëzues për epokën e re energjetike që po ndërtohet mbi partneritetin dhe inovacionin”.
Zyrtarja shqiptare nënvizoi se Shqipëria po konsolidohet si një faktor stabiliteti dhe bashkëpunimi në rajon, duke theksuar angazhimin e qeverisë në projektet e përbashkëta të energjisë së pastër dhe integrimit të tregjeve.






