5.5 C
Tiranë
Thursday, November 28, 2024
spot_img

Barometri i Sigurisë 2024: Korrupsioni dhe krimi i organizuar ,kërcënimet kryesore për Shqipërinë

Në Tiranë, Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes publikoi sot anketën kombëtare Barometri i Sigurisë 2024, sipas së cilës, shumica e qytetarëve mendojnë se korrupsioni është kërcënimi më serioz për sigurinë e Shqipërisë.

Në studim thuhet se nga viti në vit është rritur numri i qytetarëve që e nënvizojnë korrupsionin si kërcënimin më serioz të sigurisë. Në vitin 2024, kjo përqindje është 45%, krahasuar me 39% në vitin 2022 dhe 37% në vitin 2020. Këtë vit, afro 22.5% e të anketuarve e cilësojnë krimin e organizuar si kërcënimin e dytë më të madh për sigurinë, një vlerësim gjithashtu në rritje nga 19.2% në 2022 dhe 20.3% në 2020.

Arjan Dyrmishi, një nga autorët e studimit dhe drejtues i Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, për Zërin e Amerikës, tha: “Mendoj se njerëzit gjithnjë e më shumë po konstatojnë që korrupsioni ka veti gërryese në përgjithësi në të gjitha fushat e jetës së shoqërisë. Kemi një shkallë të lartë të angazhimit në korrupsion të zyrtarëve të niveleve më të larta, dhe kjo e ka bërë më të prekshëm për qytetarët. Nga kjo buron edhe besimi i lartë tek SPAK-u.”

Besimi në Institucione dhe Perceptimi i Qeverisjes

“Korrupsioni është perceptuar si kërcënimi më serioz për sigurinë në çdo edicion të Barometrit Shqiptar të Sigurisë. Prandaj, nuk është befasuese që besimi në institucionet demokratike dhe elitën politike mbetet i ulët,” theksohet në studim. Qytetarët shprehin një pasiguri të ndjeshme politike, teksa pjesa dërrmuese e të anketuarve pohojnë se nuk ndihen të përfaqësuar nga Kuvendi, qeveria dhe pushteti vendor. Vetëm 8.3% e të anketuarve ndjehen të përfaqësuar nga parlamenti, 11% për pushtetin qendror dhe 16% për qeverisjen vendore.

Shumica e të anketuarve, konkretisht 82%, mendojnë se drejtuesit e qeverisë shkelin ligjin ose abuzojnë me pushtetin, dhe 71.6% e qytetarëve pohuan se krimet e kryera nga zyrtarët e qeverisë mbeten të pandëshkuara. Anketa gjithashtu tregon se veprimtaria e qeverisë shqiptare ndikohet nga pronarët e bizneseve të mëdha, ndërsa ndikimi i vullnetit të qytetarëve është i vogël. Vetëm 7% mendojnë se Kuvendi dhe qeveria zbatojnë vullnetin e votuesve, ndërsa 45.7% pohuan se qeveria ndikohet nga pronarët e bizneseve të mëdha.

Gjysma e të anketuarve nuk besojnë se zgjedhjet e vitit të ardhshëm do të jenë të lira dhe të ndershme apo nëse do të fuqizojnë qytetarët për të zgjedhur lirisht alternativat politike.

Perceptimi mbi SPAK-un dhe Drejtësinë

Një kapitull më vete trajton punën e drejtësisë së re kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Rreth dy të tretat thonë se SPAK-u është serioz në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Vetëm rreth 18% e të anketuarve mendojnë se SPAK nuk është serioz në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Të anketuarit janë pothuajse të ndarë sa i takon pavarësisë nga politika të Gjykatave të Posaçme dhe SPAK-ut. Mbi 53% e të anketuarve pohuan se vendimmarrja e SPAK-ut nuk ndikohet nga politika, ndërsa afro 47% thonë se SPAK-u ndikohet nga politika. Afro 58% e të anketuarve mendojnë se vendimmarrja e Gjykatave të Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ndikohet nga politika.

Gjendja Ekonomike dhe Sociale

Siguria ekonomike pasqyrohet problematike nga qytetarët. Një e treta e të anketuarve pohuan se situata financiare në familjet e tyre është e mirë ose shumë e mirë, ndërsa për dy të tretat financat familjare nuk janë as mirë as keq, keq ose shumë keq. Vetëm një e pesta mendojnë se ekonomia familjare dhe ajo e vendit është më mirë se një vit më parë.

Shumica e qytetarëve të anketuar pohuan se hendeku mes të pasurve dhe të varfërve është rritur gjatë pesë viteve të fundit për shkak të politikave të qeverisë. Papunësia është renditur po ashtu si një problem kryesor ekonomik. Vetëm një e pesta e të anketuarve pohuan se qeveria ka bërë përpjekjet e duhura për të krijuar vende pune për të gjithë, ndërsa pjesa dërrmuese thonë se mbështetja e qeverisë për të papunët është e pamjaftueshme.

Sa i takon sigurisë ushqimore, një e treta e të anketuarve pohuan se gjatë vitit të kaluar kanë pakësuar sasinë e ushqimit sepse nuk kishin mjaftueshëm para për të blerë. Afro gjysma e të anketuarve thonë se ishin të shqetësuar se ushqimi do të mbaronte para se të merrnin para për ta blerë përsëri. Një e katërta janë më të shqetësuar mbi plotësimin e nevojave të tyre për ushqim vitin e ardhshëm.

Integrimi në BE dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare

Integrimi në BE mbetet përparësi kryesore e shoqërisë shqiptare. Të anketuarit thuajse njëzëri mbështesin anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe pohuan se kjo do të jetë një gjë e mirë për Shqipërinë. Afro dy të tretat besojnë se Shqipëria do të bëhet anëtare e BE-së brenda pesë ose dhjetë viteve të ardhshme, ndërsa rreth një e treta mendojnë se Shqipëria do të bëhet anëtare brenda njëzet vitesh.

Sa u takon marrëdhënieve ndërkombëtare, shumica e qytetarëve shqiptarë, 78%, i veçojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës si vendin me më shumë ndikim pozitiv ndaj Shqipërisë, krahasuar me vende të tjera. Më pas vjen Turqia, ndërsa vendet me ndikimin më negativ ndaj Shqipërisë janë Rusia dhe Irani. Shumica e të anketuarve kërkojnë marrëdhënie më të ngushta mes Shqipërisë dhe Kosovës. Një përqindje më e lartë, 84.8%, mbështesin koordinimin dhe njëjtësimin e politikës së jashtme, ndërsa 70.5% mbështesin bashkimin e tyre. Një përqindje shumë e madhe e qytetarëve mendojnë se Serbia është një kërcënim i sigurisë për Shqipërinë, megjithatë shprehen se mes dy vendeve duhet të ketë një bashkëpunim më të madh. Ndërsa për raportet Kosovë-Serbi, shumica e të anketuarve pohuan se të dyja vendet do të arrijnë një marrëveshje përfundimtare mbi normalizimin e marrëdhënieve, por më shumë se një e treta mendojnë se kjo nuk do të ndodhë kurrë.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT